E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe 72 orë fushatë në Maqedoni

Nga Express më 01 qershor 2011 në ora 12:15

Kanë mbetur më pak se tri ditë në dispozicion, për fushatën e partive politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit në Maqedoni.

Partitë politike këto tri ditë do të mbajnë takimet ndër më kryesoret në qendrat e vendit, si dhe kanë intensifikuar aktivitetet për të tërhequr votuesit.

Shtabet partiake bëjnë të ditur se në ditët e fundit do të përqendrohen për tubimet dhe aktivitetet më masive me elektoratin dhe në zonat më të rëndësishme.

Fushata zgjedhore për shkak të zgjedhjeve të parakohshme zgjat vetëm 20 ditë dhe në garën zgjedhore janë 20 parti politike dhe një listë e pavarur qytetare.

BDI do të mbajë tubimin qendror në Shkup, nesër në Gostivar dhe të premten në Tetovë.

PDSH do të mbajë tubimin e radhës në Gostivar, nesër në Tetovë si dhe tubimin e fundit në Shkup.

Agjenda e RDK-së parasheh tubimin në Tetovë, nesër në Shkup dhe pasnesër në Gostivar.
BDSH do të vijojë takimet intensive me qytetarët në zonat zgjedhore 2 dhe 6 me tubime dhe aktivitete tjera, duke i dhënë fund fushatës me një tubim në Tetovë.

DR do të mbajë tubim në Gostivar, nesër në Strugë dhe tubimin e fundit në Shkup.

Edhe PPD vlerëson se ka intensifikuar takimet dhe fushatën në ditët e fundit, por duke zgjedhur modelin e takimeve me qytetarët dhe forma të tjera të fushatës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›