Vritet një mjek radiolog në Spitalin e Durrësit, autori vetëdorëzohet. Berisha: Të aplikohet ndëshkimi më i ashpër

Një mjek 52-vjeçar është vrarë sot paradite me armë zjarri në mjediset e spitalit rajonal të Durrësit, ndërsa autori u arrestua brenda pak minutash. Burime zyrtare nga drejtoria e Policisë së qarkut, bënë të ditur se "mjeku radiolog Fatmir Thaçi, 52 vjeç është qëlluar me pistoletë brenda në sallën e radiologjisë ku po punonte". Sipas burimeve, "autori i krimit, Ali Lorja, 46 vjeç është arrestuar brenda pak minutash, ndërsa u bllokua në cilësinë e provës materiale edhe arma pistoletë". Gjithashtu ato shtuan se "ngjarja që po hetohet intensivisht ka në sfond motive të dobta mes të dy personave". Ekspertët e Policisë së në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit vazhdojnë hetimet mbi këtë vrasje.
Berisha: Është një krim i shëmtuar
Kryeministri Sali Berisha dënoi sot me ashpërsinë më të madhe krimin e shëmtuar të vrasjes në detyrë të mjekut radiolog, Fatmir Thaçi, si një akt kriminal tejet tronditës. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani vuri në dukje se Kryeminstri Berisha ka kërkuar nga Ministria e Brendshme që të merren të gjitha masat e duhura për të garantuar jetën e veprimtarinë e punonjësve të shëndetësisë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha, i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë që ndaj autorit të këtij akti të rëndë kriminal, të japë dënimin më të ashpër ligjor. Mjeku radiolog 52-vjeçar, Fatmir Thaçi u vra sot paradite me armë zjarri në mjediset e spitalit rajonal të Durrësit, ndërsa autori u arrestua brenda pak minutash. Ekspertët e Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit vazhdojnë hetimet mbi këtë vrasje.
PS ngushëllon familjen e mjekut të vrarë
Partia Socialiste nëpërmjet zëdhënëses së saj, Armela Imeraj, i shprehu ngushëllimet familjarëve të mjekut Fatmir Thaçi, i cili u vra paraditen e sotme në mjediset e spitalit rajonal të Durrësit. Në një deklaratë për mediat, Imeraj tha se, “PS shpreh ngushëllimet më të ndjera për humbjen e jetës së mjekut Fatmir Thaçi dhe i kërkon me forcë Ministrisë se Brendshme dhe asaj të Shëndetësisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e jetës së mjekëve”. Mjeku radiolog 52-vjeçar, Fatmir Thaçi u vra sot paradite me armë zjarri në mjediset e spitalit rajonal të Durrësit, ndërsa autori u arrestua brenda pak minutash. Ekspertët e Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit vazhdojnë hetimet për këtë vrasje.
...