E Diel, 1 Nëntor 2026

“Prometeu” i ngeshëm dhe urgjenca e reformave madhore

Aftësia më e madhe e një drejtuesi politik është çelja e perspektivave për popullin e vet. Ai duhet të mishërojë fuqinë krijuese, shpirtin aspirues të kombit të vet. Ai lypset të jetë sizmografi më i ndjeshëm i nevojave urgjente dhe ëndrave të bukura të njerëzve, që ka marrë përsipër të përfaqësojë. I zhveshur nga çdo ineres vetiak dhe i privuar nga shumë kënaqësí të “vogla” të kësaj bote, drejtuesi gjen lumturinë vetëm në kërkim të asaj të të tjerëve. Ky kapiten, që mban në duar timonin e së ardhmes, nuk ka kohë të merret me shqetësíme, që burojnë nga ambiciet e tij. Realizimin e idealeve të veta ai nuk duhet ta  kushtëzojë me qënien e tij në pushtet. Ai di vetëm të përballet me problemet madhore dhe urgjente që shqetësojnë qytetarët. Madje, atij nuk duhet t’i interesojë mendimi i të tjerëve për të. Drejtuesi s’duhet të ketë probleme me veten. Ai mund të largohet nga posti me po atë seriozitet, me të cilin e ka pranuar atë. Ai “robëron” veten për të shtuar lirinë e të tjerëve. Ai mbron parimet, pa humbur synimet madhore. Drejtuesi duhet të jetë etalon i altruizmit, i thjeshtësisë, i këmbënguljes për arritjen e aspiratave të sovranit. Ai nuk e humbet vizionin e tij human për synime egoiste. Ai e “harron” veten për sa kohë i shërben popullit të tij.   

Edvin Rama u rizgjodh kryetar i PS-së, edhe pse shkeli statutin e saj, që e kish miratuar vetë. Këtij paradoksi ai u përpoq t’i fshihej, duke ngulmuar tek gjoja zbulimi i të vërtetës së manipulimit të zgjedhjeve të qershorit. Dhe mbahet si një “Promete”, që kërkon të zbardhë një errësírë, që të garantojë në të ardhmen zgjedhje të standardeve të larta. Kurse rruga që ka zgjedhur për këtë synim “madhor”, është për të vënë duart në kokë. Në vend që të meditojë për të gjetur rrugët më pak të dënueshme për arritjen e këtij synimi, t’i shpenzojë energjitë për të ndihmuar në plotësimin dhe realizimin e nevojave dhe aspiratave madhore të sovranit, Rama merret me gërr-mërr-e për interesa fare meskine. Aq më tepër që vetë ka shpallur filozofinë e politikës së tij “Përtej së majtës e së djathtës”. Dhe Rama i di mirë se cilat probleme madhore janë sot emergjente për t’u zgjidhur. Nëse ky lider “gozhdohet” vetëm në zbulimin e një të “vërtete” të hamendësuar me qëllim, vërtete”, dimensioni i tij prej “Prometeu” të ngeshëm zvogëlohet në përmasa të frikshme. Themi të “frikshme”, sepse vendosja e “unit” partiak mbi ligjet e domosdoshme për t’u miratuar dhe reformat jetike për t’u kryer, krijon precedentin e një lloj diktature “liberale”, në të cilën, për interesat e një grupi, varrosen ato të të gjithë shoqërísë. Nuk mund t’i ndriçosh njerëzit duke u frenuar të ardhmen. Nuk mund t’i ngazëllesh ata duke u prerë shpresën për ditë më të mira. Nuk bëhesh dot as një “Promete” i stisur duke luftuar vetëm për vete. Prometeu është simbol i sakrificës për të tjerët. Kurse Rama etalon i egoizmit të neveritshëm. Si u bëka Rama “Promete”, duke qëmtuar sebepe për t’i bindur njerëzit të pranojnë regresin? Qëllimet e mira, apo hovet fisnike nuk kanë vlerë, nëse nuk i shërbejnë realizimit të ëndrrave të sovranit. Përkundrazi! Rama nuk mund të bëhet jo “Promete”, por as një liliput me shpirt të mirë. Ai vetë në fakt është vetëm një fatkeq. Një viktimë e dashurisë së tij të madhe për veten. Ai hyri në “lojën” demokratike të zgjedhjeve duke e caktuar vetë sistemin e saj. Pranoi me konsensus arbitrin kryesor dhe anësorët (të vendit e të huaj!). E ndoqi “lojën” me kujdes dhe u duk sikur mbeti i kënaqur. Mirëpo, në fund, kur rezultoi i mundur, ulëriu se e kishin mashtruar. Se, gjoja, lojtarët e paskëshin prekur topin me dorë. Dhe kur, lojtarë e spektatorë, u pajtuan me rezultatin; kur edhe komisarët e fushës, dërguar nga “FIFA” (OSBE - ODHIR) dhanë pëlqimin për një lojë korrekte, Rama nisi të bërtiste se ia kishin hedhur, se loja qënkësh manipuluar, se dhe arbitrat e caktuar prej tij, qënkëshin shitur, e tj. Shkurt, Rama nuk është i prerë për lider. Ai nuk duhej mbajtur më në krye të partisë. Ai doli sheshit se është thjesht një “Promete” shpirtngushtë, egoist e mburravec, që i sjell dëm vetes, partisë, imazhit të vendit dhe sidomos reformave madhore, që i hapin rrugën e dritës e të përparimit Shqipërísë. Kurse drejtuesi vizionar lypset të vuajë shpirtërisht, sa kohë që nuk ka gjetur rrugën e drejtë të ndriçimit të një errësire. Dhe jo të përpiqet si ta shfrytëzojë këtë  për vete, duke dëmtuar ata që e kanë zgjedhur. Drejtuesi i vërtetë shtrydh trutë e tij deri sa të gjejë mënyrën që, edhe të hedhë dritë mbi errësirën që dyshon, edhe të ndihmojë popullin e vet në kryerjen e reformave madhore. Nuk ngul këmbë si mushka drejtuesi që të mbajë ngrehur një bojkot të dëmshëm pa u shqetësuar për këshillat, që i japin edhe miqtë më të sinqertë të Shqipërisë. Ata thonë se loja është mbyllur dhe “lufta” për të zbardhur çdo dyshim në demokraci zhvillohet vetëm në kuvend. Asnjë njeri i zakonshëm nuk do të ngulmonte në një bojkot, pa kërkuar rrugë të tjera, ku “Mishi të piqej dhe helli të mos digjej!” Prandaj njerëzit gjykojnë se Rama e ka hallin gjetkë. Ai nuk është as një “Prometuc” mburravec. Ai është thjesht një liliput, që merr pozat e një misionari të madh! Megjithatë, njeriu e ka të ardhmen e vet politike në dorë!...  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›