E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet për shkak të Facebookut

Dy adoleshentë të dashuruar holandezë paguan një të njohur të tyre (që asokohe ishte vetëm 14-vjeçar) që të vriste vajzën 15-vjeçare, Joyce “Winsie” Haujer, me të cilën paraprakisht ishin fjalosur në Facebook.

Gjatë gjykimit, që këtë javë filloi në qytetin holandez Arnhem, djaloshi që u prezantua si “Jinhua K” (15) pranoi se ka vrarë moshataren e tij, Joyce “Winsie” Haujer, pasi që disa miq të tij – me të cilët Haujer ishte fjalosur në Facebook, për shkak të disa komenteve ofenduese - i kishin paguar 20 euro për kryerjen e kësaj vepre.

Ngjarja ka ndodhur në janar të këtij viti.

Gjatë gjykimit, ku shpalosja e detajeve të vrasjes po e tmerron Holandën, djaloshi i akuzuar pranoi se vajzën e kishte vrarë me thikë sapo kishte hyrë në shtëpinë i saj, dhe se me atë rast kishte plagosur edhe babanë e saj.

Paraprakisht, viktima kishte postuar në Facebook një koment, sipas të cilit shoqja e saj, e cila para publikut po prezantohet si “Polly W”, është imorale.

Për shkak të këtij komenti, dy shoqet kishin filluar të shkëmbenin ofendime të shumta brenda rrjetit më të njohur social, derisa, në fund, “Polly W” (16) dhe i dashuri i saj “Wesley C” (17) nuk vendosën që ta vrisnin Joyce “Winsie” Hau, dhe atë duke paguar për këtë punë “Jinhua K”.

Çifti i adoleshentëve i kishte ofruar moshatarit para për kryerjen e veprës. Gjithashtu atij i ishte premtuar se, veç kësaj, do t’i paguanin nga një pije sa herë që do të takoheshin gjatë daljeve të mbrëmjes.

Që të tre të akuzuarit, por edhe vetë viktima, i përkasin komunitetit kinez që jeton në Holandë.

Vrasja ishte planifikuar një javë ditë

Ministria holandeze e Drejtësisë ndërkohë ka njoftuar se, çifti i vrasësve adoleshentë vrasjen e kishte planifikuar plot një javë ditë. Gjatë gjithë kohës “Polly W” dhe “Wesley C” ishin dëgjuar përmes telefonit, ose kishin kontaktuar nëpërmjet Facebook’ut. Në fund, “Jinhua K’ kishte pranuar një porosi, në të cilën shkruhej emri i vajzës që duhej të vritej, si dhe koha kur ajo zakonisht ndodhej në shtëpi.

Vrasësi adoleshentë me pagesë fillimisht hezitoi që ta kryente vrasjen, por i dashuri i “Polly W” i bënte presion që të përmbushte pjesën e tij të marrëveshjes. Si rrjedhojë, “Jinhua K” vendosi t’ia mësynte shtëpisë së viktimës.

“Më vjen tmerrësisht keq që e vrava vajzën”, deklaroi para gjykatës i akuzuari “Jinhua K”, i cili jeton në Capelle aan den Ijssel, afër qytetit Rotherdam.

Babai i viktimës: Fëmijët s’po respektojnë askënd

Nëpërmjet një letre, gjykatës i është drejtuar edhe i ati i vajzës së vrarë, Chun Nam Hau.

Në letrën e tij tejet emocionale, Chun Nam Hau, mes tjerash, shkroi:

"Për çdo ditë e pyes veten se sis është e mundur që ata njerëz organizuan vrasjen e saj, vetëm për shkak të një fjalosjeje. Po e shoh se si fëmijët po bëhen gjithnjë e më të dhunshëm. Nuk kanë respekt ndaj askujt, deh nuk mendojnë fare për të tjerët. Shpresoj që ju, si gjykatës, e si politikanë, por edhe prindërit dhe e gjithë shoqëria, do të bëni diçka që t’i zihet rruga kësaj dukurie”.

Ndryshe, për shkak të moshës së tij, “Jinhua K” mund të dënohet me dënim maksimal prej një viti burgim, dhe me mbyllje në ndonjë institucion psikiatrik për një periudhë që do ta përcaktojë gjykata.

Pritet që trupi gjykues të shpall aktvendimin më 3 shtator.

Gjykim i hapur për publikun

Gjykimet e adoleshentëve në Holandë zakonisht janë të mbyllura për publikun, megjithëse, kësaj radhe gjykatësit vendosën që ky proces të jetë i hapur. Kjo për shkak se, psikiatri i gjyqit shprehu mendimin e tij se një gjykim i hapur nuk do të ketë kurrfarë pasojash negative për të akuzuarin.

Gjithashtu, motivi tjetër me rëndësi për mbajtjen e një gjykimi publik ishte që publiku i gjerë të njihet me rolin që kishte një medium shoqëror në këtë rast.

Gjykimi i porositësve të vrasjes, “Polly W” dhe “Wesley C”, do të fillojë së shpejti. Gjegjësisht, sapo të vendoset nëse ata do të gjykohen si adoleshentë apo si të rritur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›