E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet pronari i disko “3X”në Plazhin e Durrësit

14/04/2010 I ndërpresin rrugën e makinës, më pas e qëllojnë në kraharor

Pronari i diskos “3X” është vrarë dje në sy të bashkëshortes së tij, kur dy të rinj i kanë zënë prit duke e qëlluar me pistoletë në kraharor. Gentian Deliallisi lindur e banues në Durrës është qëlluar me pistoletë në gjoks, në afërsi të mbikalimit të plepave. Personat që e kanë vrarë 35-vjeçarin duket se e kanë ndjekur mjetin me të cilin udhëtonte pronari i diskos. Sipas policisë, vdekja ka qenë e menjëhershme.

Ngjarja

Ka qenë ora 21.10 teksa një mjet i ka zënë rrugën autoveturës së 35-vjeçarit Deliallisi. Pronari i diskos “3X” në Plazhin e Durrësit ka qenë së bashku me bashkëshorten në mjetin e tij tip Volswagen me targa DR 0730 F duke udhëtuar drejt Durrësit. Policia thotë se mjeti është ndaluar pasi së paku një person i ka zënë rrugën. Sapo mjeti është ndaluar dhe Deliallisi ka hapur dritaren e anës së shoferit një i ri pa maskë dhe me një pistoletë në dorë është afruar me nxitim. Ai ka shtënë drejt e në gjoks të Deliallisit, i cili ka humbur jetën në vend. Më pas autori i krimit është larguar me një motor i ndihmuar edhe nga një person tjetër, të cilët kanë mundur të largohen edhe pse policia është vënë në lëvizje dhe ka bllokuar të gjitha nyjet sapo ka dëgjuar të shtëna arme. E vetmja dëshmitare në vendngjarje e deklaruar e pranishme në krimin e vrasjes së 35-vjeçarit Genti Deliallisi ka qenë bashkëshortja e tij. Ajo është dërguar në spital pasi ka humbur ndjenjat dhe gjendet nën kontrollin e mjekëve, por bluzat e bardha kanë konfirmuar se ajo nuk është plagosur. Trupi i pronarit të disko “3X” është dërguar në morgun e spitalit të Durrësit për t’iu nënshtruar ekspertizës ligjore. Sipas pistave të hetimit, për t’u vlerësuar është dhe ajo e një borxhi apo trafiqe të mundshme. Por nuk përjashtohet as vrasja e ndodhur pas konflikteve mes tij dhe personave të tjerë. Viktima, sipas burimeve jozyrtare, është bashkëpronarë në një nga lokalet shumë të frekuentuara buzë deti në shëtitoren “Taulantia”, si dhe të disa subjekteve në Shkozet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›