Vritet shkaku i pulave

Shkodra është tronditur sërish. Një grindje për motive të dobëta ka sjellë vrasjen e një shtetasi në fshatin Berdicë e Madhe. Lazër Paloka, 52 vjeç, ka mbetur i vrarë, pasi është qëlluar me armë zjarri nga fqinji i tij, Hil Gjoni, i cili është dhe kryetar i fshatit. Ngjarja ka ndodhur afër kishës dhe mësohet sa shkak ka qenë një grindje e para disa ditëve mes fqinjëve.
Mësohet se njërit prej tyre i kanë humbur ca pula dhe për këtë ka akuzuar djalin e fqinjit, duke thënë se ia ka vjedhur ai. Kjo nuk është pranuar nga familja e të akuzuarit dhe dy palët janë përfshirë në konflikt, i cili para disa minutash ka sjellë dhe vrasjen e Lazër Palokës. Mësohet se autori e viktima kanë dalë për t'u sqaruar, madje kanë qëndruar në një lokal pastaj janë grindur përsëri dhe jashtë në rrugë, pranë kishës, ka ndodhur dhe vrasja. Viktima është qëlluar me pistoletë nga afër dy herë në trup. Autori është ndaluar nga policia në banesën e tij, ku ka shkuar menjëherë pas ngjarjes.
Hil Gjoni, autori i vrasjes, mësohet se sapo ka shkuar në banesë ka telefonuar policin e zonës dhe i ka thënë se ka vrarë Lazër Palokën. Pasi policia e ka ndaluar mësohet se kryetari i fshatit, njëkohësisht autor i vrasjes, ka deklaruar se e ka qëlluar Hilën, pasi ky donte ta vriste. “Ka ardhur të më vrasë, ndërsa më parë më ka rrahur djalin. Nuk u sqaruam dot dhe dolëm jashtë lokalit duke u grindur. Ka dashur të më vrasë, por e vrava unë i pari",- mësohet se ka rrëfyer autori i ngjarjes.