E Diel, 1 Nëntor 2026

Pretenca, burg për jetë për vrasjen e dyfishtë



SHKODËR - Prokuroria e Shkodrës ka kërkuar dënimin maksimal për autorin e vrasjes së dyfishtë në Velipojë. Autori i krimit të ndodhur muaj më parë në komunën e Velipojës të rrethit të Shkodrës, 28 vjeçari, Arjan Zefi, banor i kësaj komune, ka dalë te mërkurën para trupit gjykues ne Gjykatën e Rrethit te Shkodrës. Ngjarja tronditi opinionin, pasi dy pjesëtarët e së njëjtës familje, Age dhe Rafael Preka, nënë e bir, gjetën vdekjen si rezultat i goditjes me armë zjarri nga bashkëfshatari i tyre. Sipas burimeve policisë së Shkodrës, ngjarja kishte ardhur pas një konflikti të ndodhur vite më parë, por që hasmëria mes dy familjeve kishte mbetur ende në fuqi, duke nxitur 28 vjeçarin Zefi të ekzekutojë dy komshinjtë e tij që po ktheheshin me automjetin e tyre në shtëpi. Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Rrethit Shkodër, prokurorja Françeka Lekani, duke e konsideruar fajtor autorin e krimit për dy vepra penale, atë “të vrasjes me paramendim” dhe “të armëmbajtjes pa leje”, ka kërkuar burgim të përjetshëm për 28 vjeçarin Arjan Zefi. Pritet që të zhvillohen edhe seanca e palës mbrojtëse dhe më pas vendimi që do të marrë gjykata.

1 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›