E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria, kualifikim të akuzave për përgjegjësit e ngjarjes së Gërdecit



TIRANË - Prokuroria e Përgjithshme është duke bërë kualifikimin e akuzave për personat që dyshohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur më 15 mars në Gërdec. Sipas këtyre burimeve, grupi hetimor mendon se në këtë ngjarje janë konsumuar disa vepra penale dhe po punohet për kualifikimin e tyre. Aktualisht, nën hetimin e Prokurorisë për veprat penale “shkelje të rregullave të sigurisë mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “shpërdorimit të detyrës” janë drejtuesit e subjekteve që administronin fabrikën që demontonte municione luftarake në Gërdec, si dhe të Ministrisë së Mbrojtjes dhe konkretisht shtetasit Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxholli, Dashnor Çaushi dhe Sokol Gjeci. Ndërkohë, për llogari të këtyre hetimeve, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, i ka kërkuar Parlamentit autorizim për ndjekjen penale të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Nga shpërthimi i 15 marsit në Fabrikën e Gërdecit humbën jetën 26 persona, 12 të tjerë janë plagosur rëndë, 32 lehtë dhe me dëmtime më të lehta janë 206 persona. Gjithashtu, janë dëmtuar 5413 banesa, 32 biznese, 34 ferma bujqësore me vlerë monetare rreth 2 miliardë e 39 milionë lekë.

Vrau dy vjet më parë, deportohet nga Italia Saimir Xhepexhiu

Tiranë – Interpoli ekstradoi Saimir Xhebexhiun, i dënuar për vrasje me dashje. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, Interpol Tirana deportoi nga Roma 25-vjeçarin Xhebexhiu, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gramsh, me Vendimin numër 30, datë 13. 11. 2006, e ka dënuar me 16 vjet heqje lirie, për veprën penale të vrasjes. Kundër këtij vendimi është bërë ankim në Gjykatën e Apelit Durrës dhe çështja është ende në shqyrtim gjyqësor pranë kësaj gjykate. Sipas vendimit të gjykatës, më datën 09.08.2005, në lagjen “Sporti” të qytetit të Gramshit, Saimir Xhebexhiu, në bashkëpunim me shtetasin Dritan Xhebexhiu, kanë goditur me mjete të forta në fytyrë shtetasin Durim Hoxha, duke i shkaktuar vdekjen si dhe kanë plagosur shtetasin Arjol Xhangolli. Ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje, pas një grindjeje të ndodhur disa orë më parë, ku viktima në gjendje të dehur, ka provokuar me sjellje e fjalë fyese autorët si dhe të afërmit e tyre. Në Aeroportin e Rinasit ky shtetas i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

1 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›