E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sali Shehu: Topalli, me profil më të ulët se Lenka Çuko

“ I them zotit Berisha se në vitin 2004 të kam dhënë shumë të drejtë, ndërsa mbrëmë kam ndjerë shumë keqardhje që e mbrojte ligjin e plehrave. Tani, kush është gjeli në majë të plehut...”

Një ditë pasi Kuvendi vendosi me shumicë votash rrëzimin e dekretit të Presidentit të Republikës për të emëruar Sali Shehun në postin e kreut të KLSH-së, ky i fundit duke folur dje për mediat ka shfryrë ndaj mazhorancës së djathtë, të cilën deri para tre vjetësh e përfaqësonte në institucionin legjislativ. Duke komentuar në përgjithësi votimin e së enjtes dhe në veçanti qëndrimin e mbajtur nga mazhoranca kundrejt kandidaturës së tij, Shehu shprehet i zhgënjyer të paktën nga ata deputetë me të cilët ka ndarë vitet e vështira të opozitës. Megjithatë, ai thekson se votimi për kandidaturën e tij tregoi dhe diçka pozitive, pasi hodhi poshtë të gjitha akuzat që janë ngritur së fundmi kundrejt një pjese të mbështetësve të Bamir Topit, përfshi edhe atë vetë si aleat të socialistëve. “Ne s’kemi asnjë lidhje me të majtën, edhe këtë e tregoi edhe votimi dje në Kuvendin e Shqipërisë. Madje, dy deputetë të PS-së u tunduan dhe bashkuan votën me Berishën, çka tregon se çfarë bashkëpunimi ka mes dy partive të mëdha, pra që të dyja partitë e mëdha kanë të njëjtin profil”, - u shpreh Sali Shehu, ndërsa me ironi ka theksuar se tashmë atij nuk i “ngelet gjë tjetër veçse të shkojë në gjykatën e Tiranës dhe të kërkojë siglën e PD-së”. Ajo për të cilën ai ndjen më shumë keqardhje janë pikërisht etiketimet dhe vlerësimet që iu bënë atij nga një pjesë e lidershipit të PD-së. Këtu ai veçon deklaratat e bëra nga kryeparlamentarja Topalli, të cilën nuk nguron ta krahasojë dhe me ministren e sistemit komunist, Lenka Çuko. “Duke e parë në televizion zonjën Topalli, fatkeqësisht më është dukur në profil më poshtë se Lenka Çuko”, - tha Shehu. Por më shumë keqardhje ai ndjen jo për rrëzimin e dekretit të emërimit të tij në postin e kreut të KLSH-së, por për rrëzimin e dekretit tjetër, atë të ligjit të mbetjeve. Duke iu referuar këtij debati, Shehu nuk harron t’i kujtojë Kryeministrit qëndrimin që ai ka mbajtur në vitin 2004 kundër një ligji të tillë. “Nuk ndjeva keqardhje për votimin kundër emrit tim sesa ndjeva keqardhje për miratimin e ligjit të plehrave. I them zotit Berisha se në vitin 2004 të kam dhënë shumë të drejtë, ndërsa mbrëmë kam ndjerë shumë keqardhje që e mbrojte ligjin e plehrave. Tani kush është “gjeli në majë të plehut...””, - u shpreh më tej Shehu. E për të gjitha këto veprime, por edhe për shumë qëndrime të tjera të kësaj mazhorance, Shehu bën të ditur se klasa politike shqiptare ka nevojë për një profil të ri, të cilin mund t’ia japë një forcë e re politike e kryesuar nga Topi. “Nëse i keni ndjekur qëndrimet e lidershipit të PD-së, ato e trajtojnë PD-në si pronë të shtëpisë së tyre. Të gjitha këto janë arsye që na bëjnë të mendojmë se Shqipëria ka nevojë për një profil të ri politik”, - theksoi Shehu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›