E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari-Vllaznia, sfida që dhuron gjithmonë bukuri dhe spektakël

Nga ELTON NIKA

Sipas zv.trajnerit Sokol Branica, dueli i sotëm mund të quhet një klasike më vete, pasi ndeshen dy shkolla me nivel në futbollin shqiptar

Flamurtari Vllaznia (sot 14:00)

Te Flamurtari duket se për ndeshjen ndaj shkodranëve nuk mendojnë për asnjë rezultat tjetër, veç fitores. Qëllimi është të merren tri pikët, për të harruar edhe humbjen e mesjavës në kupë. Ndërsa futbollistët vijojnë të qëndrojnë gojëkyçur, pronocimet për ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë mund të lëshohen vetëm nga stafi teknik. Pas trajnerit Lutaj një ditë më parë, rreth takimit të ditës së sotme është ndalur tashmë zv.trajneri i ekipit, Sokol Branica.

Sipas numrit dy të pankinës vlonjate, sfida me shkodranët mund të cilësohet për Flamurtarin sprova më e vështirë që deri më tani Flamurtari ka luajtur në fushën e vet. Dihet që takimet Flamurtari-Vllaznia kanë lënë gjithmonë gjurmë dhe pa dyshim brenda lojës që shfaqin të dy ekipet ka mjaft cilësi. Nëse mund të flitet për një takim klasik në kampionatin shqiptar të futbollit, nuk mund të mungojë përballja Flamurtari-Vllaznia, pavarësisht se ku luhet.

Pavarësisht se ndeshja zhvillohet në Vlorë, nuk mund të flasim për ekip favorit. Natyrisht, ne kërkojmë fitoren në këtë ndeshje dhe duam të zhvillojmë një ndeshje me nivel, për të arritur të harrojmë e të lëmë pas humbjen e mesjavës në kupë.

Por kjo është një ndeshje relativisht ndryshe nga takimi në Kamzë, pasi dihet se ndeshjet në kampionat kanë një specifikë të veçantë. Vllaznia mbetet një nga ekipet më të mira të kampionatit shqiptar dhe kështu ka qenë përherë, por përkundër vlerësimit që kemi për këtë kundërshtar, nuk mund të themi se kërkojmë rezultat tjetër, veç fitores, thekson Branica.

Tifozët Tri pikët në takimet që luajmë në stadiumin tonë janë detyrë për Flamurtarin, ndaj nuk ka pse të ndodhë ndryshe edhe në këtë përballje të ditës së shtunë. Luajmë një takim ku edhe për sportdashësit fitorja është i vetmi rezultat që kërkojnë nga Flamurtari. Kundërshtari i kësaj jave është një nga ato ekipe që luan dhe të lë të luash futboll, ndaj do të jetë besoj një takim i hapur, ku fiton ai ekip që gabon më pak.

Ne i kemi bërë përgatitjet tona për këtë ndeshje të rëndësishme dhe do të tregojmë në fushën e lojës se e meritojmë fitoren ndaj Vllaznisë. Nuk e di, por presim që edhe sportdashësit të jenë më të shumtë në numër, duke na përkrahur, pavarësisht se në mesjavë i zhgënjyem me atë humbje, por besoj se fitorja përballë ekipit shkodran rikthen gjithçka në vendin e vet, – përfundon zv.trajneri i Flamurtarit, Sokol Branica.

Vlonjatët, stërvitje në orarin e ndeshjes

Flamurtari dje e ka zhvilluar stërvitjen në orarin e ndeshjes. Prej orës 14:00, stërvitja e ekipit vlonjat, nën drejtimin e Lutaj-Branica-Gogunja, ka vijuar për më shumë se 90 minuta, ndërsa veç lojës me top, futbollistët kanë kryer edhe shumë goditje nga larg. Ndërkohë, është konfirmuar se pas stërvitjes ekipi ka qëndruar i grumbulluar dhe e ka kaluar natën në hotel Olimpia, që edhe herë të tjera ka qenë qendër e ekipit vlonjat në prag të takimeve në kampionat.

Kuqezinjtë, në kërkim të fitores së 30-të rresht

Vlonjatët janë në kërkim të fitores së 30-të në kampionat në ndeshjet që luajnë në shtëpi si ekip pritës. Aktualisht ekipi vlonjat ka prej muajit nëntor të vitit 2009 që nuk njeh asnjë rezultat tjetër në Vlorë, veç fitores, teksa numëron tashmë 29 fitore rresht. Përballja me Vlalzaninë është jubilare për vlonjatët, që mund të shkojnë kështu në 30 fitore rresht në stadiumin e vet dhe këtë mund ta arrijnë përballë një rivali të këtij sezoni, siç është Vllaznia.

Formacioni, mungojnë mbrojtësi Brahja dhe Beqiri

Mbrojtësit Julian Brahja dhe Oriad Beqiri janë të vetmet mungesa të Flamurtarit për ndeshjen e sotme ndaj Vllaznisë. Brahja qëndron jashtë ekipit për gati një javë qysh përpara takimit të javës së kaluar me Pogradecin, ndërsa Beqiri është dëmtuar në ndeshjen e fundit në Kamëz për Kupën e Shqipërisë. Ndërkohë, krahasuar me takimin e mesjavës, Lutaj pritet të kryejë sërish ndryshime në formacion.

Porta pritet ti besohet sërish Spahos, në mbrojtje aktivizohen Rajoviç, Veliu, Abraham dhe rikthehet Sakaj. Në mesfushë nga minuta e parë pritet të aktivizohen Lena, Kuqi, Progni, ndërsa në balotazh duket se janë Shtubina me Arbrin. Ndërsa sulmi do ti besohet tashmë sërish dyshes Hysa-Brkiç.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›