E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vullnet për reformën

Miratohet me 97 vota pro ngritja e komisionit të posaçëm për ndryshimin e Kodit Zgjedhor

Parlamenti ka miratuar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, me 97 vota pro dhe 1 kundër, ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për Kodin Zgjedhor. Komisioni do të përbëhet nga Ilir Rusmali (PD), Fatmir Xhafaj (PS), Arian Madhi (PR), Ëngjëll Bejtja (PSD), Ndue Shpani (PDK), Spartak Braho (LSI), Petrit Gjoni (PAA), Tritan Shehu (PDR) dhe Spiro Peçi(PBDNJ). Ndërkohë, para se të miratohej ngritja e komisionit në Kuvend, grupi parlamentar i PS-së shprehu gatishmërinë për të dhënë kontributin e domosdoshëm për hartimin e kodit të ri zgjedhor dhe kundërshtoi abuzimin me ligjin e spiunëve, që bëhet për të tërhequr vëmendjen, dhe njëkohësisht kërkoi që ndryshimi i rregullores së Kuvendit të mos shfrytëzohet për t’i bërë presion presidentit. Që në mesditën e djeshme, socialistët vendosën të japin votën e tyre “pro” ngritjes së komisionit të posaçëm për këtë çështje. Numri një i socialistëve në Kuvend, Valentina Leskaj, sqaroi pozicionimin e partisë më të madhe opozitare gjatë gjithë kësaj periudhe e në vazhdim. “Për të mos u marrë me abuzimet e Berishës, ne sot kemi vendosur si grup parlamentar, që të jemi dakord që pasdite të miratohet komisioni i reformës zgjedhore, që do të jetë ashtu siç ne e kemi propozuar, një komision i kodit elektoral, me përfaqësues nga të gjitha partitë parlamentare. Fatmir Xhafaj do të jetë bashkëkryetar nga ana socialiste”, - u shpreh Leskaj. Ajo e cilësoi si tërësisht abuzive deklaratën e kryeministrit, se opozita ka qenë pengesë në këtë proces. Liderja e PS-së në Kuvend rikujtoi deklaratën që ajo vetë bëri dy javë më parë, duke kërkuar që mazhoranca të marrë përgjegjësitë e veta, ndërsa kërkoi edhe ngritjen e komisionit të posaçëm. “Kemi propozuar ngritjen e një komisioni të kodit elektoral, gjithashtu kemi përcaktuar edhe afatet dhe kemi bërë propozimet tona konkrete për sa u takon modaliteteve. Mesa duket, Berisha është mësuar që reformat t’ia bëjnë të tjerët dhe nuk merr përsipër përgjegjësi, sepse në shoqëritë demokratike, përgjegjësitë për reformat i marrin mazhorancat”, - deklaroi ajo. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së shtoi se opozita ka qenë një hap para mazhorancës, pasi ka bërë propozime konkrete.

Mazhoranca kërkon të shpërqendrojë vëmendjen

Valentina Leskaj e cilësoi si abuzim qëndrimin e Jozefina Topallit ndaj ligjit të spiunëve. Ajo sqaroi se një muaj më parë ka kërkuar që të futej në procedurë ligji “Për bashkëpunëtorët e sigurimit”, në seancë plenare, dhe jo me letra sikundër veproi  Topalli. Në fakt, opozita gjatë gjithë kësaj periudhe i ka kërkuar Topallit që të fusë në shqyrtim projektligjin, duke e akuzuar atë se është bërë pengesë. Valentina Leskaj sqaron se përse mazhoranca po e ndërmerr tani këtë hap. “Fakti që ajo kërkon me nxitim është si puna e rregullores; bëhet përpara dekreteve të presidentit, për t’i treguar atij forcë, dhe sa herë që Partia Demokratike ka probleme, hedh kësisoj kartash, për të spostuar vëmendjen”, - deklaroi numri një i socialistëve në Kuvend.

Rregullorja e Kuvendit

Kreu i grupit parlamentar të PS-së sqaroi dje edhe pozicionim e PS-së për ndryshimin e rregullores. Ajo nënvizoi se ndryshimi me procedurë të përshpejtuar nuk është i motivueshëm, dhe kjo bëhet vetëm për t’i treguar “dhëmbët” presidentit. Valentina Leskaj theksoi se rregulloret ndryshohen me konsensus. “Ne kemi propozuar të ngrihet një grup pune, i cili të shoh të gjithë llojet e propozimeve, atë të z. Beja, nismën që ka ardhur nga dy deputetët e PS-së dhe gjithashtu një grup tjetër propozimesh, kjo për shkak se ka ndryshuar Kushtetuta. Pra, ndryshimi i saj lind ndryshimin në rregullore”, - tha ajo. Leskaj shtoi se është e rëndësishme që ndryshimet të jenë integrale, në mënyrë që t’i shpërbejnë funksionimit të Parlamentit, e jo “shantazhit” ndaj kreut të shtetit, sikundër po bën mazhoranca.

Berisha bën kthesë

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur dje opozitën për vullnetin e saj për reformën zgjedhore, ndërsa ka deklaruar se gjatë kësaj jave Kuvendi do të firmosë edhe ngritjen e komisionit të posaçëm. Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar demokrat, Berisha kërkoi gjithashtu që të nisë puna edhe për reformën në drejtësi. “Do të ishte në interes që gjithçka të realizohej sa më shpejt, në mënyrë që faktorët zgjedhorë të njiheshin me këtë në kuadër të një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm. E ftoj opozitën që të vazhdojë reformën në drejtësi, pasi dhe ky sistem është tërësisht afatgjatë”, tha Berisha në mbledhjen e grupit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›