Prençi kthen në qarkullim Ahmetin

TIRANË - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, firmosi dje rreth mesditës rikthimin zyrtar në detyrë të shefit të Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Krenar Ahmetit. Vetëm disa ditë pasi Gjykata e Apelit prishi masën e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe vendosi që Ahmeti të rikthehej në detyrë, dje, me anë të një shkrese zyrtare, vendimi mori formën e prerë. Ndërkohë që 10 ditë më parë Prençi komandoi pas pezullimit të Ahmetit në krye të Rrugores Valmir Nikollin. Që nga momenti i hedhjes së firmës së kreut të policisë, Krenar Ahmeti do të mbajë përsëri postin e shefit të Policisë së Qarkullimit Rrugor në Tiranë. Afro dy javë më parë, kreu i rrugores u akuzua nga një prokurore e krimeve të rënda për “veprime arbitrare”, gjë e cila u rrëzua në Apel, i cili i dha të drejtë Ahmetit, duke i dhënë edhe rikthimin si shef i qarkullimit. Për rikthimin në detyrë të Krenar Ahmetit, ishte e nevojshme që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Prençi, të anulonte vendimin për pezullimin e tij nga detyra. Për të hedhur firmën, Prençit i duhej të njihej më parë në rrugë zyrtare me vendimin e Gjykatës së Apelit, që i dha të drejtë Ahmetit të shkojë sërish në vendin e punës. Pesë ditë më parë, gjatë një seance, e cila zgjati afro një orë në Gjykatën e Apelit, shefi i Qarkullimit Rrugor të Tiranës pati mundësinë që të vërtetonte nëpërmjet çdo dokumentacioni të rregullt ligjor, se akuzat e ngritura nga Elizabeta dhe Agron Bajri ishin të pabazuara. Nga ana e tij, trupi gjykues i Apelit u shpreh se vendimi i Shkallës së Parë ishte dhënë në kundërshtim me ligjin dhe pa u bazuar në prova konkrete. Dokumenti më i fortë që provoi se Ahmeti nuk kishte kryer veprime arbitrare, ishte raporti i shërbimit. Në atë raport dukej qartë se prokuroja e krimeve të rënda nuk ishte shoqëruar forcërisht në komisariat, por kishte shkuar me dëshirën e saj, për të shoqëruar bashkëshortin e saj. Po sipas këtij raporti, ndalimi i automjetit me të cilin po udhëtonte prokuroja, ishte në kundravajtje dhe polici rrugor e më pas vetë Ahmeti kanë qenë brenda të gjithë rregullave. Çështja e bujshme “Krenar Ahmeti” u ankimua në Apel, pas vendimit të dhënë në shkallën e parë nga Majlinda Doga, e cila dha masën e pezullimit nga detyra të Ahmetit.
El.El