E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vullnetarët e mjedisit: Z. President, mos dekreto plehrat

Tiranë Korpusi Shqiptar i Vullnetarëve, përmes një letre, i është drejtuar Presidentit të Republikës Bamir Topi, që të mos e dekretojë ligjin për menaxhimin e mbetjeve urbane, i cili lejon importimin e mbeturinave, mes të cilave edhe makinat e vjetra. Në letër shkruhet se, dëshmitë tregojnë se këto ligje janë hartuar enkas për tu shërbyer bizneseve të riciklimit, dhe jo pastrimit të shqipërisë.

_____________________________________________________________________________________

I nderuar z. President i Republikës, Bamir Topi

Përmes kësaj letre duam të tërheqim vëmendjen Tuaj, i nderuar Z.President, lidhur me një çështje shumë delikate për të ardhmen e vendit tonë.

Faktet e nxjerra në dritë së fundi, lidhur me riciklimin e makinave të vjetra, na dëshmojnë për një plan të parapërgatitur, për të ushqyer industrinë e riciklimit të mbeturinave në Shqipëri.

Miratimi i ligjit për Menaxhimin e integruar të mbetjeve, i cili i hap udhë importimit të mbetjeve për arsye riciklimi, duke përfshirë për herë të parë edhe automjetet e vjetra dhe, legalizimi në parlament i aktit normativ të qeverisë, për varrezat e makinave, janë pjesë integarale të të njëjtës strategji që konvergjon në interesa ekonomike të biznesit të riciklimit. Nuk ka qenë rastësi fakti që kryeministri Sali Berisha ka pritur në zyrën e tij, vetëm pak ditë pas miratimit të aktit normativ, drejtorin ekzekutiv të kompanisë gjermane SHOLZ, Rafael Bart. Eshtë kjo shoqëri që ka ndërtuar impiantin më të madh të riciklimit – shndërrimit në skrap – të makinave të vjetra. Gjithashtu, nuk është rastësore, që një kompani e tillë, ndërton një biznes me një kapacitet gjigand, kur di me saktësi se në Shqipëri ka lëndë të parë vetëm për një muaj punë.

Nuk është vështirë të kuptojmë se pjesa tjetër e lëndës së parë do të importohet. Pyetja që shtrohet është kjo? Përse ky biznes nuk u vendos në vendin ku lënda e parë është me shumicë, por duhet që makinat e vjetra dhe akumulatorët elektrikë të importohen në Shqipëri? Padyshim që ka një përgjigje: Ky biznes është ndotës!

Kërcënimi mjedisor prej këtij biznesi është shumë më i rëndë se procedura e ligjërimit të tij, ndaj kërkojmë që të ushtroni autoritetin tuaj për të mos e dekretuar këtë ligj.

Shqipëria është sot vendi më i ndotur i Europës. Ajo është e pushtuar nga mbeturinat, nga maja e malit deri në mes të detit. Ne çmojmë se qeveria dhe parlamenti duhet të angazhoheshin maksimalisht për gjetjen e mekanizmave për ta pastruar territorin e vendit, derisa predikojmë turizmin si shpëtimin ekonomik. Por, në vend të saj, tërë vëmendjen dhe preokupimin e qeverisë e merr ndërtimi i infrastrukturës ligjore për bizneset e riciklimit të mbeturinave të importit, pasi biznesi kishte ndërtuar më parë fabrikat në mënyrë informale.

Si një organizatë dhe lëvizje mjedisore, e cila është e angazhuar prej disa vitesh në pastrimin e plazheve në mënurë vullnetare, ne jemi të alarmuar për atë që pritet të ndodhë në Shqipëri.

Ne jemi të bindur se nesër do të jetë vonë për të zhbërë atë që është bërë e do të bëhet, ndaj çmojmë se duhet ndërhyrë sot, për të shmangur të keqen më të madhe.

Korpusi Korpusi Korpusi korpusi5 korpusi3 korpus4 plehrat korpusi2 korpusi1

Shkrime të tjera me interes:

  1. SKANDAL me makinat e vjetra, qeveria bën ligjin pasi është ndërtuar biznesi
  2. Importi i mbeturinave, ekspertët kundër
  3. Mbeturinat, PS: Mafia italiane, biznes në Shqipëri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›