Webber, i lumtur në Red Bull

Mark Webber ka thënë se dëshiron të mbetet në Red Bull për pjesën e mbetur të karrierës së tij në Formula 1, por nuk ka plane definitive rreth pensionimit.
Australiani ka kontratë me ekipin deri në fund të sezonit 2011, pas vazhdimit të qëndrimit vitin e kaluar. Së fundmi, spekulohej se Webber mund të përshëndetet nga sporti në fund të këtij sezoni, pas skadimit të kontratës së tij me Red Bullin.
Por, 34-vjeçari, i cili përfundoi në pozitën e tretë në garë për titull në edicionin e kaluar, nuk planifikon të tërhiqet dhe dëshiron të mbetet në ekipin aktual.
“Besoj se po”, tha Webber për R1 Racing, i pyetur nëse dëshiron të përfundojë karrierën e tij në Red Bull. “Dua të vazhdoj, secili ngasës e dëshiron këtë, të garojë për kreun dhe të jetë pjesë e një skuadre të këtillë, çdo javë”, u shpreh ai.