E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wenger është mësuar të vuajë

Nga Express më 10 shtator 2011 në ora 21:00

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka theksuar se kjo verë ka qenë “ferr” për të, pas përjetimit të njërës prej periudhave më të vështira në historinë e fundme të ekipit.

Gjiganti londinez përfundoi një tjetër sezon pa titull të fituar dhe shumëkush priste përforcime të mëdha në afatin kalimtar të verës. Por, marrëveshjet kryesore ishin në shitje pasi Gael Clichy, Cesc Fabregas, Samir Nasri e Emmanuel Eboue u larguan nga klubi.

Wenger arriti të sjellë futbollistë të rinj si Park Chu-young, Mikel Arteta, Yossi Benayoun, Per Mertesacker në ditën e fundit të afatit kalimtar pas turpërimit 8-2 nga Manchester United dy javë më parë.

“Në punën time ju prisni të vuani. Andaj, nëse një ditë shkoj në ferr, do të jetë më pak e dhimbshme për mua se për ju sepse unë jam mësuar të vuaj. Mund të shkruaj një libër rreth verës së fundit. Ishte më e vështira që kam kaluar prej kur kam ardhur këtu”, tha Wenger për mediet angleze.

“Libri do të ishte jashtëzakonisht interesant. Jo për shkak timin, por për ato që ndodhën, ishte e pabesueshme”, shtoi ai. Por, Wenger beson se me përforcimet e reja, Arsenali do të shfaqet si konkurrent.

“Nuk kemi bërë asgjë të marrë. Kemi sjellë kualitet dhe përvojë për të cilën kishim nevojë. Tani u takon futbollistëve dhe mua të dëshmojmë se kam marr vendimet e drejta”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›