Yjet e futbollit luajnë për bamirësi

Legjendat e futbollit, Zinedine Zidane dhe Ronaldo u janë bashkuar yjeve të tjera të futbollit në një ndeshje bamirësie, e cila u zhvillua të martën mbrëma në Hamburg të Gjermanisë. Kjo ishte ndeshja e nëntë që zhvillohet me moton‘Kundër Varfërisë’.
Edhe sulmuesi i Chelseas, Didier Drogba dhe mbrojtësi i Blackburnit, Michel Salgado, ishin pjesë e ekipit që ndërtohej nga dy ish yjet e Real Madridit, të cilët janë ambasadorë të programit të zhvillimit në Kombet e Bashkuara (UNDP).
Ata luajtën kundër ekipit më të mirë të Hamburgut në stadiumin Imtech Arena, në praninë e 24 mijë shikuesve, por nuk kishte dyshim se cili ekip posedonte yje në skuadër. Po ashtu, për ekipin e Ronaldos e Zidane luajtën edhe lojtarë të tjerë të mëdhenj si Luis Figo, Gheorghe Hagi, Pavel Nedved, Fabio Cannavaro dhe Steve McManaman.
Disa klube të Premierligës gjithashtu u prezantuan me nga një ish lojtar në këtë takim, duke përfshirë Robert Pires Jens Lehmann, që kishin luajtur në Arsenal, Lucas Radebe (Leeds), Fernando Hierro (Bolton), Christian Karembeu (Middlesbrough), Gheorghe Popescu (Tottenham), Claude Makelele (Chelsea), Dwight Yorke (Manchester United).
Në anën tjetër, Hamburgu u përbë nga disa prej lojtarëve të njohur si Ze Roberto, Jorg Albertz e Tony Yeboah. Në këtë takim u realizuan nëntë gola, ndërsa fitores iu gëzua Hamburgu, edhe pse rezultati në këtë ndeshje ishte në plan të dytë. Golat për ekipin e UNDP-së në ndeshjen e cila u përkrah nga UEFA i realizuan: Ronaldo, Figo, Salgado dhe Drogba.
Ky organizim bëhet me qëllim që të ndihmohen vendet afrikane në krizë, ku 13 milionë njerëz vuajnë nga varfëria. “Ne takohemi çdo vit për një arsye. Këtë vit u bashkuam dhe luajtëm për Afrikën. Dhe jemi të lumtur që ta transmetojmë një mesazh të rëndësishëm për botën se ne do të vazhdojmë t’i ndihmojmë dhe t’i mbështesim ata që kanë nevojë”, deklaroi braziliani Ronaldo.
Dy të tretat e të ardhurave nga kjo ndeshje do të shkojnë në Kombet e Bashkuara për t’i ndihmuar njerëzit afrikanë në nevojë.
“Mendoj se mesazhi shkoi në vend. Është mjaft interesante t’i shohësh njerëzit që vijnë në stadium për këtë çështje madhore. Ata nuk kanë ardhur ta shohin një ndeshje të madhe, por ata e dinë se përse janë këtu. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Mesazhi i sotëm është sërish të themi se ka probleme gjithandej dhe fakti se ne jemi këtu me mendim të mirë i bën njerëzit më të vetëdijshëm”, shtoi francezi Zidane. Ronaldo dhe Zidane janë pjesë e këtij aktiviteti bamirës nga viti 2003.