E Shtunë, 31 Tetor 2026

Westerberg: Shqipëria meriton të jetë pjesë e BE-së

Kryeparlamentari suedez Westerberg ka nisur sot në Shqipëri një vizitë 3 ditore me ftese te kryetares se Kuvendit Topalli. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp Westerberg tha se “Shqipëria është pjesë e Europës, si e tillë meriton te jetë edhe e BE” 

TIRANE- “Shqipëria është pjesë e Europës dhe ajo meriton të jetë pjesë e Bashkimit Europian”, kështu ka deklaruar Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Per Westerberg, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Westerberg, ndodhet në Shqipëri për një vizitë tre ditore me ftesë të kryeparlamentares Topalli, ku në ditën e parë të vizitës së tij ne vendin tonë ka shprehur vlerësimin e tij se Shqipëria ka ecur shumë përpara dhe ka bërë transformime të mëdha.
Gjithashtu Westerber cilësoi faktin se Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm në paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit.
Suedia merr Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian në korrik të këtij viti, dhe kryeparlamentari suedez ka theksuar se "të gjitha partitë politike në Suedi mbështesin politikën e zgjerimit të BE-së dhe kjo do të reflektohet gjatë presidencës sonë, në 6 mujorin e ardhshëm“.

Ndërkohë kryeparlamentarja Topalli, në deklaratën e saj theksoi se “ne shohim te Suedia një vend mik të çështjes shqiptare, sepse Suedia është në grupin e parë të vendeve që ratifikoi MSA-në Shqipëri-BE, po ashtu ndër të parët që njohu pavarësinë e Kosovës dhe një nga kontribueset kryesore në misionin EULEX".
"Kjo është shenjë e përkrahjes që ju i jepni aspiratës europiane të Shqipërisë, por edhe rajonit tonë", u shpreh Topalli.

Më tej në fjalën e saj Topalli shtoi se "Vizita juaj e gjen Shqipërinë në mbyllje të fazës së ratifikimit të MSA-së nga vendet anëtare të BE-së, ndërkohë që pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, po ecim në mënyrë të përshpejtuar me ratifikimet e protokollit nga vendet anëtare të Aleancës, me optimizmin për anëtarësim të plotë në NATO në samitin e ardhshëm”, vuri në dukje ajo.

Duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se "Shqipëria mirëpret investimet suedeze në fusha si energjia, infrastruktura, elektronika apo telekomunikacioni“,
Gjatë qëndrimit në Tiranë kryeparlamentari suedez do të takohet me personalitete të larta të shtetit shqiptar. Kjo është e para vizitë e një kryetari të parlamentit të Suedisë.

(a.r/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›