E Shtunë, 31 Tetor 2026

Westerwelle: Serbi-Kosovë të bashkëpunojnë

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, tha të premten në Prishtinë se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë evropiane, por e bëri të qartë se vlerat e BE-së janë bashkëpunimi dhe jo konfrontimi.

Ai tha se ekziston një papajtueshmëri në BE me rezolutën e Serbisë të dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, meqë, sipas tij, është kërkuar një rrugë më konstruktive dhe një kompromis.
Kryediplomatin gjerman tha se BE-ja mbështet bisedimet e drejtpërdrejta mes Prishtinës e Beogradit, por kërkoi më shumë bashkëpunim nga palët e përfshira në këtë proces:

"BE-ja është e gatshme të mbështes bisedimet e drejtpërdrejta dhe kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces të jenë bashkëpunues dhe fleksibël për një dialog konstruktiv. Kjo sepse ne mendojmë në afat të gjatë. Shtetet e Ballkanit Perëndimor do të kenë të ardhmen dhe perspektivën e tyre në BE por modeli dhe vlerat e BE-së janë bashkëpunimi dhe jo konfrontimi,"- tha Westerwelle.

Ministri i Jashtëm gjerman e bëri të qartë edhe në Prishtinë qëndrimin e vendit të tij se "pavarësia dhe tërësia tokësore e Kosovës janë realitet" dhe kjo, sipas tij, është vërtetuar edhe me mendimin e GJND-së, për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›