Wikileaks E gjithë dosja shqiptare
Një radiografi e ashpër për shoqërinë shqiptare, një gjykim i akullt për çfarë vete keq në këtë vend dhe emrat e përgjegjësve të së keqes. Publikohen telegramet e Ambasadës Amerikane në Tiranë duke treguar Shqipërinë e vërtetë, që e njohin në të njëjtën mënyrë edhe të gjithë shqiptarët. Cilat janë sekretet që turpërojnë një klasë politike të kriminalizuar, të korruptuar e të pandëshkuar dhe si e shohin shoqërinë shqiptare amerikanët? Zgjedhjet e manipuluara, Gërdeci e armët, rruga Durrës-Kukës, lidhjet me krimin, antikomunizmi i ish-komunistit Berisha, gjithçka që turpëron sot vendin në telegramet e publikuara nga Wikileaks
Nga Lorenc Vangjeli, MAPO
Të famshëm, të pasur, si rregull, përtej mundësive që ju jep rroga, të fortë e të ashpër, por dhe të pashëm përpara kamerave të televizorit. Këta janë politikanët shqiptarë, një pjesë e madhe e të cilëve të trashëguar nga elita ish-komuniste e para viteve 90´ dhe një pjesë tjetër e mbërritur në majë të pushtetit për shkak të afërsisë me mbizotëruesit e poleve të pushtetit. Kjo është pamja e parë e tyre, por kujdes! Gjithçka është nën vëzhgim. Si një redaksi gjigante mediaje që beson se puna e saj më e rëndësishme nuk do të botohet kurrë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, falë incidentit Wikileaks, demonstroi këtë javë gjithë mendimet e saj të fshehta për çfarë ndodh në Shqipëri. Për zgjedhjet, për politikën që rrjedh nga zgjedhjet, për ekonominë, korrupsionin, për Forcat e Armatosura e Shërbimin Sekret, për drejtësinë shqiptare, gjyqësorin dhe organin e akuzës, për median, për individë të ndryshëm me pushtet e deri dhe konsiderata për shoqërinë shqiptare e mënyrën e saj të jetesës dhe të të kuptuarit të botës. Një mal me informacion të akullt, pa ngarkesë emocionale që dëshmon sesi është realisht bota e vogël shqiptare e parë nga sytë e huaj të aleatit strategjik të Shqipërisë. Pa pudrën dhe makiazhin diplomatik, pa buzëqeshjet formale në pritje zyrtare, por ashpër dhe vrazhdë siç është rëndom e vërteta, rrëmeti Wikileaks tregoi çfarë mendojnë realisht amerikanët për shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe politikën e saj në veçanti. Lakuriq e të mjerë, në rastin më të mirë dhe të korruptuar të pandëshkuar e madje edhe të lidhur me krimin, në rastin më të keq – përkundër formës që politika shqiptare tregton në sy të publikut ky është thelbi i tablosë së zymtë që botimet masive me temë Shqipërinë, mbërritën në duart e publikut. Të vërteta të cilat nuk habitën pothuaj askënd me vëmendje minimale për Tiranën zyrtare, por më shumë se kaq, ato ishin konfirmim i asaj që siç shkruhet në kabllogramet amerikane, ishin prej kohësh tema bisedash në institucionin kombëtar të kafeneve në Shqipëri.
Pothuaj të gjithë emrat më të njohur të politikës shqiptare, deri dhe numrat e tyre të telefonit apo njohuritë për gjuhët e huaja, parakalojnë në telegramet me drejtim Tiranë Uashington. Me forcën e tyre, por sidomos me dobësitë e tyre ekstreme, me gënjeshtrat e hipokrizinë dhe hilet e vogla ballkanase për hir dhe në emër të pushtetit personal. Tërësia e dokumentave të publikuara afron të vërteta të hidhura, qoftë për pushtetin ekzekutiv dhe përdorimin dhe shpërdorimin e tij, qoftë për atë legjislativ, për gjyqësorin dhe vetë median. Një pamje që rrënqeth.
Zgjedhjet
Çfarë gjykohej në shqip dhe kundërshtohej fort po në shqip, tashmë është thënë qartë në anglishten e fshehtë diplomatike të ish-ambasadorit Uidhers. Zgjedhjet janë pika më delikate e shoqërisë shqiptare, e cila, së paku në 15 vjetët e fundit, është një institucion i rrënuar që nuk ka prodhuar në asnjë rast legjitimitet të plotë të qeverisjes së vendit. Si të vjedhësh votat me stilin shqiptar, është titulli i një telegrami që ambasadori Uidhers ka firmosur pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2009, në 12 qershor. Edhe pse ka bërë përparime, Shqipëria mbetet një vend ku manipulimet në zgjedhje nuk mungojnë. Blerja e votave, rryshfeti për komisionerët, kartat e rreme apo frikësimi i votësuesve, të gjitha funksionojnë në këtë vend, shkruhet në këtë telegram. Thyerja e madhe e institucionit të zgjedhjeve, sipas amerikanëve, ka ndodhur në maj të vitit 1996. Mbas tyre, vetëm një vit më pas, Shqipëria hyri në kaos dhe vazhdon të jetë në një tjetër formë të kaosit edhe mbas disa palë zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale. Për të ndalur në zgjedhjet e fundit, kryesisht për Tiranën dhe duke bërë analogji me mënyrat sesi frakturohet vota shqiptare që identifikojnë amerikanët, historia ngjan si dy pika uji. Askush nuk numëron sa vota ka në kutitë e votimit dhe sa votues janë regjistruar, shkruhet në qershor 2009, ndërkohë që dy vjet më pas, ka pasur diferenca domethënëse mes fletëve të gjetura në kutitë e votimit dhe numrit të zgjedhësve që kanë votuar. Në një proces që largoi Edi Ramën mbas më shumë se një dekade nga bashkia e Tiranës. Në të tjera telegrame ngrihen shqetësime akute nga fushatat elektorale të zhvilluara, të cilat, në thelb kanë të njëjtin shqetësim: ato nuk janë të ndershme, ato janë gjithmonë një garë e pabarabartë mes favoreve të pushtetit që pushteti i vë në funksion të fitores dhe opozitës. Mbas zgjedhjeve të 28 qershorit, një vështrim i akullt parashikues i ambasadorit Uidhers dëshmon atë çfarë po ndodh në këto dy vjet të mandatit të dytë të zotit Berisha: Një pyetje e madhe për ne është sa efektive do të jetë një mazhorancë e dobët në qeverisje përfshi realizimin e reformave që ne dhe ky vend i ka të nevojshme. Përgjigja mund të jepet shqip: aspak!
Politikanët
Dhe mbas zgjedhjeve të manipuluara, natyrisht edhe produkti i tyre, ligjvënësit shqiptare nuk do të mund të ishin ndryshe sipas këndvështrimit amerikan. Në një telegram të datës 13 gusht 2009, ish-ambasadori Uidhers bën një listë të pjesshme me emrat e gjashtë deputetëve nga më të rëndësishmit të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët dyshohen për lidhje me botën e krimit, si pjesë e tij apo si përfitues prej tij. Përtej faktit sesa real është një perceptim i tillë amerikan, ka një fjali në këtë raport që trishton pafund: Sjellja e sëmurë, ndoshta kriminale e shumë deputetëve prej shqiptarë është shqetësuese dhe nuk premton për zhvillim demokratik. Eshtë gjerësisht e njohur në Shqipëri se të gjitha partitë kanë deputetë të lidhur me krimin e organizuar, shkruan ish-ambasadori Uidhers. Këta individë janë sot deputetë dhe kanë imunitet nga ligji…. Kjo fjali kyçe e këtij telegrami, shpjegon dhe shumë detaje të tjera për atë çfarë ka ndodhur në vijimësi në Shqipëri. Në këtë mënyrë, kuptohet dhe më qartë ngulmimi publik i ambasadës amerikane në Tiranë për rrudhjen e imunitetit, parashikuar në kushtetutë për një sërë zyrtarësh të lartë në vend. Një gjë që, pavarësisht se të gjithë aktorët e kanë përshëndetur, asnjëherë nuk është bërë realitet. Në këtë këndvështrim, dy nga proceset më të bujshme të dështuara në Shqipëri, tragjedia e Gërdecit dhe abuzimi fatal me rrugën Durrës-Kukës, kanë dështuar pikërisht për shkak të kulturës së pandëshkueshmërisë së instaluar në vend dhe për shkak se dy ministrat e akuzuar direkt, Fatmir Mediu dhe Lulzim Basha kanë mundur të shpëtojnë pa ju nënshtruar procesit të hetimit gjyqësor, sepse kanë pasur imunitet. Ndërkohë që pritej që Prokuroria e Përgjithshme të kërkonte heqjen e imunitetit të Mediut, Kuvendi i Shqipërisë i mbylli punimet në mënyrë të papritur në datë 28 korrik, vërehet në një tjetër telegram.
Ka dhe më shumë se kaq. Një dëshmi tronditëse vjen nga përdorimi që i është bërë rrugës Durrës-Kukës për interesa thelbësisht elektorale, pa kursyer rrezikimin e jetëve njerëzore dhe koston që duhej paguar. Një nga telegramet e zotit Uidhers konfirmon se dy drejtues të konsorciumit Bechtel-Enka