E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikileaks, SHBA: Biznesi shqiptar i mirëpret firmat e mallrat amerikane

TIRANE-Si komuniteti shqiptar i biznesit, ashtu edhe i gjithë opinioni publik në përgjithësi i mirëpresin kompanitë amerikane për të bashkëpunuar në këtë vend. Ky është opinioni i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, që i është dërguar me një kablogram të posaçëm Departamentit të Shtetit në Uashington, në janar të vitit të kaluar, në një material të gjatë, kushtuar zhvillimit të investimeve të huaja direkte në ekonominë shqiptare.

Kabllogrami mban nënshkrimin e ambasadorit Uidhers. Ky kabllogram është bërë publik, në mes të shumë të tjerëve, të publikuar të premten në faqen e internetit të kompanisë "Wikileaks". Kjo faqe, që tronditi disa muaj më parë diplomacinë amerikane, publikoi qindra kabllograme të reja, mes të cilave edhe ato të dërguara nga ambasada amerikane në Tiranë drejt Departamentit të Shtetit. Për Shqipërinë është thënë se ekzistojnë më shumë se tetë mijë dokumente në serverët e "Wikileaks", por ende nuk janë publikuar të gjitha. Sipas Ambasadës, "Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë një imazh popullor në Shqipëri. Si komuniteti i biznesit, ashtu edhe publiku në përgjithësi mirëpresin kompanitë amerikane dhe produktet e tyre".
Ambasada këshillon, nëpërmjet Departamentit të Shetit, që kompanitë e interesuara nga SHBA për të hyrë në tregun shqiptar të kontaktojnë "Albinvest"-in, agjencinë shtetërore të nxitjes së investimeve të huaja. Aktualisht, kjo agjenci nuk funksionon më, por statusi i simotrës së saj është ngritur një shkallë më lart, duke qenë se kryetar i bordit rezulton vetë kryeministri, Sali Berisha. Kompania amerikane "Bechtel", gjatë ndërtimit të segmentit Rrëshen-Kalimash, vitet e fundit ishte subjekti me xhiro më të madhe në Shqipëri.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›