E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikiliks boton 2.4 milione e-maile zyrtare siriane

Wikileaks bën të ditur se është në proces të publikimit të materialeve nga 2.4 milionë letra elektronike të sirianëve-pjesa më e madhe prej të cilave thuhet se vijnë nga zyrat qeveritare.
Përfaqësuesja e WikiLeaks-it, Sara Herison, u tha gazetarëve në Londër se letrat vene në pah komunikimin ndërmjet qeverisë siriane dhe kompanive perëndimore.
Herison citoi themeluesin e WikiLeaks-it, Xhullian Esenxhi, të ketë thënë se “materiali është i turpshëm për Sirinë, por edhe për kundërshtarët e saj të jashtëm”.
WikiLeaks-i postoi vetëm disa dokumente në faqën e tij të internetit gjatë së enjtës, por publikimi i tërë materialeve burimi i të cilave ende nuk dihet, nuk do të ishte publikimi i parë i dokumenteve siriane.
Në muajin mars, gazeta britanike The Guardian publikoi letra elektronike të aktivistëve të opozitës në Siri.
Duke folur për dokumentet që posedon WikiLeaks, Herison tha se ato datojnë nga gushti i 2006-ës deri në mars të 2012-ës dhe se vijnë nga shumë adresa përfshirë ministrinë siriane për marrëdhënie presidenciale.
Ajo theksoi se grupi është "i bindur” për vërtetësinë e dokumenteve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›