Withers: Imuniteti, jo strehë për të fshehur ata që abuzojnë
TIRANË- Ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, John Withers ka deklaruar se imuniteti nuk duhet të jetë një strehë për të fshehur ata që abuzojnë dhe të mbrojë ata që janë të paaftë. Diplomati amerikan e ka bërë deklaratën gjatë fjalës së tij në një konferencë për integritetin e drejtuesve që u mbajt sot në Tiranë. Sipas Withers liderët dhe zyrtarët shqiptarë duhet të veprojnë me integritet, në interes të publikut, pa u fshehur pas imunitetit apo masave të sigurisë që u cakton ligji.
"Personat që janë emëruar të drejtojnë, duhet të veprojnë me integritet, pasi vendimet e tyre qofshin të drejtpërdrejta apo jo, ndikojnë në jetën e qytetarëve", tha Withers, duke shtuar se të veprosh me integritet do të thotë të pranosh me përgjegjësi veprimet e tyre dhe të ndihesh përgjegjës për to.
Withers mbështeti deklaratën e bërë pak kohë më parë nga kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili ka pohuar se ministrat e tij nuk kanë imunitet.
Deklarata erdhi fill pas pushimit të çështjes në ngarkim të ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, (aktualisht ministër i Mjedisit) i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit.
Withers ka shtuar se do të mbështesë dhe inkurajojë qeverinë për të rritur mbështetjen ndaj institucioneve të pavarura dhe heqjen e imunitetit të parlamentarëve në rast korrupsioni.
Çështja 'Mediu', reagon Berisha: Ministrat e mi, pa imunitet
dt. 14 shtator
TIRANË- Pas vendimit të Kolegjit Penal për pushimin e procesit gjyqësor ndaj Fatmir Mediut, i pandehur në çështjen "Gërdeci" ka reaguar kryeministri Sali Berisha. Përmes një deklarate për shtyp, nga faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave, Berisha ka theksuar atë që deklaroi në kohën e publikimit të kabinetit të ri qeveritar, ku Mediu u zgjodh si Ministër i Mjedisit.
"Duke mos ndërhyrë në vendimet dhe pavarësinë e gjykatës, si Kryeministër dhe si Kryetar i kësaj mazhorance, rikonfirmoj edhe një herë qëndrimin tim të prerë se, për qeverinë time dhe deputetët e mazhorancës, sikundër edhe gjatë mandatit të shkuar, edhe gjatë këtij mandati, nuk ka dhe nuk do të ketë imunitet, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj pengese për institucionet e akuzës dhe organet gjyqësore për hetimin dhe penalizimin e deputetëve apo ministrave, njëlloj si qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Ky është standardi i kësaj mazhorance."- thuhet në deklaratën e kryetarit të rimandatuar të qeverisë.