E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, grabitet një maune turke me konfeksione

Disa grabitje janë shënuar 24 orët e fundit në katër qytete, ndërkohë që policia ka bërë dokumentimin e të gjithave, duke sjellë prangosjen e autorëve të tre prej tyre. Burimet policore shpjeguan se një nga vjedhjet është shënuar në Elbasan, ku është bastisur me dhunë një maune nga Turqia. Ajo ka qenë e ngarkuar me konfeksione, kur hajdutët e kanë pikasur dhe plaçkitur të gjithën. Për këtë, Policia e Elbasanit ka arrestuar Petrit Bezatin, pasi në bashkëpunim me persona të tjerë, me automjetin e tij, të tipit "Benz", me targa EL 0523 C, i ka dalë përpara mjetit me targë 34 AU 5527, i cili drejtohej nga shtetasi turk Yucel Halit Mukul, 37 vjeç, lindur e banues në Ankara, Turqi, që transportonte mallra për llogari të firmës EMI-TRANS, në pronësi të Shkëlqim Rrytës, me banim në Tiranë. Ngjarja e dytë është shënuar në Fier. Një 19-vjeçar i ka vjedhur fqinjit kursimet disavjeçare që i mbante në shtëpi. Azbi Berisha ka denoncuar këtë vjedhje dhe policia ka identifikuar autorin, i cili është Besmir Beqiri, i është shpallur në kërkim policor. Policia e Fierit shpjegoi se në banesën e Azbi Berishës është vjedhur valuta e 2900 eurove si dhe një sasi prej 90 mijë lekësh. Ndërsa në Sarandë, një person i dyshuar për disa vjedhje është vënë në pranga. Sipas policisë, në orën 22:30, në sallën operative është njoftuar se shtetasi Evriadh Kokëdhima, kishte konstatuar hyrjen e një shtetasi të panjohur në banesën e tij. Policia ka shkuar menjëherë dhe ka mundur të kapë Sami Dodën, 44 vjeç, lindur në Shkodër e banues në Sarandë. Pavarësisht se në këtë banesë nuk është vjedhur gjë, policia dyshon se Doda është autor i disa vjedhjeve në Sarandë. Në Delvinë është arrestuar Romeo Muçaj, 19 vjeç, pasi është identifikuar si autor i vjedhjes së 50 aparateve celularë, një laptopi dhe 150 mijë lekëve në dyqanin e Bardhyl Aliut.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›