E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Përftimi energjetik, i madh

Debati Komuniteti, dyshime për projektet e HEC-ve në Devoll

Ministri Prifti është përpjekur dje të vënë përballë përfaqësuesit e kompanive austro-norvegjeze energjetike me komunitetin e Gramshit e zonave përreth, në lidhje me projektet energjetike të kaskadës së lumit të Devollit. Edhe pse përzgjedhja e të pranishmëve siç u tha, ishte seleketive, ata që morën pjesë, shprehën hapur rezervat e tyre ndaj këtij projekti. Vetë kreu i Energjetikes paraqiti një tablo të vlerësimit mjedisor strategjik dhe planifikimit energjetik mbi kaskadën e Devollit, ku sipas tij, investimi i dy kompanive prestigjioze, ishte mbi 1 miliard euro, nga ku do të punësoheshin gjatë tri fazave të ndërtimit mbi tre mijë specialistë e punëtorë nga rrethi i Gramshit, qyteti i Cërrikut e më gjerë. Ndërtimi i tre hidrocentraleve mbi kaskadën e lumit të Devollit ka marrë dritën jeshile nga qeveria shqiptare, gjë që është finalizuar me nënshkrimin e marrëveshjes së përbashkët që më 1 prill të vitit të kaluar. “Do të duhen rreth 6-7 vjet që të përmbyllen të tria fazat e ndërtimit të këtyre veprave, nga ku Shqipëria do të përfitonte 20 për qind më tepër energji të pastër në raport me sasinë që prodhohet në kushtet aktuale”, ka pohuar Prifti. Sipas tij, vetëm nga ndërtimi i hidrocentralit të Banjës, do të përfitohen rreth 350 Megavat energji dhe mbi 90 milionë metër kub ujë do të përdoret për nevojat vaditëse të zonës së Sulovës, Dumresë dhe gjer në zonat e Kuçovës. Ndërkohë, përfaqësuesit e kompanisë austriake “EVN“ dhe norvegjeze “Statkraft-AS”, kanë shpjeguar përparësitë e këtij investimi, duke shtuar se, do të devijohet rruga ekzistuese, që do të kalojë përgjatë brigjeve të liqenit pa dhënë në detaje sesa do të jetë më e shkurtër apo më e gjatë. Shpjegimet e tyre janë dhënë edhe për tokat e përmbytura e për shpronësimet, por pa sqaruar se deri ku do të përmbysë liqeni i Banjës dhe sa është sipërfaqja që do të kompensohet nga shteti shqiptar apo vetë kompania. Ata kanë pranuar zhdukjen e llojeve të peshqve që rriten në lumin e Devollit, por në të njëjtën kohë kanë vlerësuar bashkëpunimin me pushtetit vendor duke kërkuar në të njëjtën kohë edhe mirëkuptimin e komunitetit. Ky i fundit, dhe pse i paktë në sallë (të tjerët e pranishëm kanë qenë pjesë e administratës civile), ka kundërshtuar në një farë mënyre duke u treguar konfuz në lidhje me veprën që do të ndërtohet. Shumë nga ata që e morën fjalë janë shprehur me mjaft rezerva për përfitimet që do të mund të kishte komuniteti urban i Gramshit dhe ai zonave rurale. Ndërkaq, bashkëbisedimi me banorët e zonës rreth projektit do të vazhdojë për dhjetë ditë rresht.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›