E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halla denoncon për vjedhjen e banesës, arrestohet nipi

Hetimet Autori i dyshuar akuzohet edhe për rrahjen e një ushtari në fillim të këtij muaji

Një grua, duke mos e ditur se nipi i saj i kishte vjedhur shtëpinë, ka denoncuar në polici dhe ka kërkuar medoemos që të gjendej hajduti. Por, kur policia e ka gjetur, ajo nuk ka pranuar të bëjë denoncim dhe ka kërkuar lirimin e tij. Megjithatë, policia e ka vënë në pranga, pasi gjurmët e tij kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe ka rezultuar se ai është edhe autori i rrahjes së një ushtari pranë Zall-Herrit, ngjarje e ndodhur në fillim të këtij muaji. Burimet policore të Komisariatit Nr. 5 bënë të ditur se dy ditë më parë, një grua ka telefonuar në polici dhe ka deklaruar se i kishin thyer banesën. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet policore, që kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ku kanë fiksuar edhe gjurmët e autorit. Pa kaluar shumë kohë, shërbimet e policisë së Kamzës kanë vënë në pranga të dyshuarin Edison Markgjoni, 22 vjeç, i cili është edhe nipi i gruas që kishte telefonuar në polici. Atij i është gjetur edhe një çantë me rroba të vjedhura dhe një gjenerator. Sipas policisë, në fund ka pranuar edhe krimin, ndërkohë që halla e tij ka kërkuar të lirohet. Por, duke qenë se vepra është dokumentuar me gjurmë, prokurori ka vendosur arrestimin e tij. Ndërsa paraditen e djeshme ka rezultuar se ai është edhe autori i plagosjes së lehtë të një ushtari, ngjarje e ndodhur më 5 mars. Sipas policisë, policia ushtarake ka deklaruar se ai ka goditur me mjete të ndryshme një ushtar në vendroje, duke i marrë edhe armën. Pasi e kishte lënë të shtrirë, armës i kishte hequr karikatorin dhe e kishte fshehur pas një muri në repart. Por, deri ditën e djeshme, autori kishte mbetur i paidentifikuar, që tashmë i shtohet edhe kjo akuzë nga prokuroria ushtarake.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›