Withers: Shqipëria voton si anëtare e NATO-s
Ambasadori amerikan, John Withers, u kujtoi sërish dje shqiptarëve se duhet të pajisen më kartat e identitetit për të votuar si shtetas të një vendi demokratik. Ambasadori i SHBA-së ishte dje i pranishëm në promovimin e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë që do të marrin pjesë në monitorimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Kryediplomati amerikan në Tiranë, në fjalën e tij përcolli disa mesazhe domethënëse për procesin zgjedhor që po afron, duke e cilësuar atë një piketë shumë të rëndësishme të zhvillimeve demokratike në Shqipëri. "Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit përbëjnë një piketë shumë të rëndësishme në zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Këto janë zgjedhjet e para që mbahen pas hyrjes në Shqipërisë në Aleancën e NATO-s. Zgjedhjet, të lira e të ndershme, që plotësojnë standardet ndërkombëtare, do të tregojnë që Shqipëria po lëviz më pranë integrimit të plotë euroatlantik. Çdo gjë, më pak se kaq, do të ishte shenjë regresi", - theksoi Withers. Sipas tij, "vëzhgimi dhe gjykimi ndërkombëtar i zgjedhjeve është i rëndësishëm, por kjo nuk është ajo që shërben si roje e një procesi elektoral në një shoqëri demokratike. Integriteti i zgjedhjeve në demokraci është në duart e qytetarëve të saj, të cilët bëjnë fushatë për kandidatët dhe partitë dhe më pas dalin për të votuar. Ndaj është e rëndësishme që të merrni kartat tuaja të identitetit dhe të dilni e të votoni".