E Shtunë, 31 Tetor 2026

PLL, Spahia: Ne, krahu i djathtë i PD-së



Legalistët synojnë një fitore të përbashkët me PD-në me bindjen se ata janë krahu i djathtë i kësaj partie në këto zgjedhje elektorale të 28 qershorit. PLL-ja prezantoi në teatrin "Skampa" në Elbasan 14 kandidatët që do të konkurrojnë nën siglën e PLL-së për këtë qark, mes të cilëve edhe 4 femra. Kryetari i PLL-së, Ekrem Spahia, tha se për zgjedhjet e 28 qershorit Partia Lëvizja e Legalitetit konkurron në të gjithë vendin me një listë të plotë prej 140 kandidatësh cilësorë. "Në qarkun Elbasan konkurron edhe nënkryetari i PLL-së, Murat Basha. Kjo është shprehje e rëndësisë që PLL-ja i kushton këtij qarku, por edhe objektivave të qarta për të fituar këtu mandat parlamentar", - u shpreh Spahia. Sipas tij, "PLL-ja është produktive në atë çfarë ofron dhe kërkon që të menaxhojë me efikasitet votat që do të marrë nga elektorati shqiptar për një bashkëqeverisje të mirë dhe komplementare ku do të jetë e materializuar edhe filozofia e saj qeverisëse për një shtet të fortë, që ka në qendër të vëmendjes interesat e qytetarëve". Spahia theksoi se PLL-ja do të punojë krahpërkrah Partisë Demokratike për të mundësuar brenda vitit të parë të mandatit të ri qeverisës lëvizjen pa viza të qytetarëve shqiptarë në Evropë si një realitet që ka ekzistuar që në vitet e Mbretërisë Shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›