Xhaferri: Pensionet e fshatit, njësim me ato të qytetit
Kandidatët për deputetë të PD-së në qarkun e Durrësit, z. Ferdinand Xhaferri dhe z. Ndriçim Babasi, gjatë një takimi elektoral në zonën Zall, Fushë-Krujë, premtuan njësim të pensioneve të fshatit me ato të qytetit. Z. Xhaferri, i cili është dhe kryetar i grupit të punës për qytetin e Durrësit, para banorëve të Zallit vuri theksin tek ndryshimi që ka pësuar Shqipëria në këta katër vjet. Z. Xhaferri në mënyrë të veçantë u përqendrua tek anëtarësimi i Shqipërisë në NATO si dhe premtimi i liberalizimit të vizave nga BE-ja për vitin 2010 falë reformave që bëri Partia Demokratike. Por kandidati demokrat, Ferdinand Xhaferri, u ndal edhe tek reforma e rritjes së pensioneve, duke sjellë në vëmendje faktin: “Pensionet në fshat ishin 3400 lekë dhe sot janë 7000 lekë, por premtimet e PD-së nuk mbarojnë me kaq, sepse në 2010-n pensionet e fshatit do të barazohen me pensionet e qytetit, ku minimalet do të jenë 13000 lekë”.