Raporti i ODIHR-it: Fushata, e qetë, por me akuza të forta
ODIHR-i vlerëson se fushata elektorale po zhvillohet përgjithësisht e qetë, me incidente të izoluara, por me akuza shpesh të forta mes pozitës dhe opozitës. ODIHR-I publikoi dje raportin e dytë paraprak, duke vëzhguar ecurinë e procesit zgjedhor përgjatë periudhës 22 maj deri më 3 qershor. Përmes këtij raporti bëhet e ditur se problemi i kartave të identitetit vazhdon të shkaktojë debate mes qeverisë dhe opozitës. Duke iu referuar qëndrimeve të dy palëve politike, pozitës dhe opozitës, në raport pohohet se në disa raste qytetarët nuk kanë marrë kompensimin për letërnjoftimet, ndërsa zyrat e postave, po sipas raportit, nuk ishin të informuara si duhet për vendimin e posaçëm të qeverisë. Vëzhguesit përmendin edhe rastet e ndërprerjeve të energjisë apo internetit gjatë procesit të aplikimeve, duke cituar të paktën katër zona, gjë e cila vështirëson sipas tyre aplikimin brenda afateve për dokumentin e ri. Në raport përmenden pretendimet e Partisë Socialiste për manipulime të të dhënave të shtetasve që kanë aplikuar për letërnjoftimet elektronike. Vëzhguesit vënë në dukje vonesat në ngritjen e komisioneve të qendrave të votimit për shkak të partive që nuk kishin dërguar emrat e përfaqësuesve të tyre. Ndërkohë që për sa u përket mediave, raporti përshkruan se periudha para fillimit zyrtar të fushatës u karakterizua nga një mbulim i pabalancuar i aktiviteteve elektorale. Dy javë më parë vëzhguesit publikuan raportin e pare, në të cilin përfshihej situata parazgjedhore deri më 19 maj.