Zgjedhjet, 2500 vëzhgues vendorë në monitorim
Do të jenë rreth 2500 vëzhgues vendorë që do të monitorojnë zgjedhjet në qendrat e votimit dhe 400 prej tyre në qendrat e numërimit të votave, në kuadër të koalicionit të vëzhguesve. Monitorimi i gjashtë shoqatave joqeveritare që do të veprojnë të pavarura nga vëzhguesit e ODIHR-it do të përfshijë monitorimin e votimit, numërimit, punën e KQZ-së dhe ankimimet në Kolegjin Zgjedhor. Megjithëse koalicioni publikoi nismën monitoruese, ai ende nuk është akredituar nga KQZ-ja për këtë detyrë. Në këtë mënyrë, monitorimit të ditës së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit i bashkëngjitet edhe Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë 2009 (KVV). KVV është një bashkim vullnetar e jo politik për vëzhgimin e proceseve elektorale, i përbërë nga gjashtë OJF: Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve, Shoqata për Kulturë Demokratike, Gruaja për Veprim Global, Qendra Kombinat "Për gratë dhe fëmijët", Qendra "Mjaft" dhe KRIIK Albania, në bashkëpunim me një rrjet organizatash partnere lokale dhe me mbështetjen financiare të Komisionit për Demokraci, pranë Ambasadës së SHBA-së Tiranë dhe Fondacionit Soros. Ambasadori amerikan John Withers, duke vlerësuar këtë nismë, tha se të gjashtë organizatat e përfaqësuara kanë mbledhur njerëz që do të bashkërendojnë një përpjekje tejet të sofistikuar, siç është vëzhgimi ditën e zgjedhjeve.