Withers i dhuron 500 tituj librash Bibliotekës Kombëtare
i cili numëron rreth 500 tituj librash si dhe një seri videokasetash dhe DVD të kulturës amerikane. Përveç enciklopedisë amerikane pjesë e koleksionit të ambasadorit Withers ishin edhe libra historik, komik me figura, libra për mësimin e gjuhës angleze etj. Në fjalën e tij ambasadori amerikan u shpreh se bibliotekat janë vende të shenjta dhe librat janë si lutje, ku një libër është një mjeti që komunikon përgjatë historisë Libri shërben si mjeti që përçon urtësinë e shekujve dhe na përçon ne shpirtin, njohurinë, urtësinë e një kohe shumë të vjetër, pra me anë të tij ne jemi në komunikim me këto kohë të shkuara. Librat i japin jetëgjatësi qytetërimit që ne gëzojmë në jetën tonë, duke mos na lejuar të rimësojmë gjërat nga e para çdo herë, theksoi në fjalën e tij ambasadori amerikan Withers. Pjesë e projekteve në këtë institucion, është dhe një konferencë shkencore që pritet të mbahet në muajin shtator. SHBA do të ndihmojë financiarisht për organizmin e një konference shkencore që do të mbahet nga Biblioteka Kombëtare në shtator, ku një ftesë i është drejtuar gjithashtu edhe drejtorit të Bibliotekës së Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe ne shpresojmë që ai të ketë mundësinë të vij, u shpreh Withers teksa i dhuroi drejtorit të Bibliotekës Kombëtare dy vëllime të enciklopedisë së historisë së mendimit kulturor dhe intelektual të SHBA-së. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj falënderoi ambasadorin amerikan Withers për mbështetjen që ai i ka dhënë gjithmonë institucioneve të artit dhe të kulturës në Shqipëri dhe veçanërisht këtij institucioni. Në shenjë falënderimi ministri Xhaferraj i dhuroi ambasadorit amerikan, John Withers, librin "Statutet e Drishtit", fitues të çmimit "Lumo Skëndo" për vitin 2010. Në këtë ceremoni merrnin pjesë akademikë, ambasadorë, specialist të Bibliotekës Kombëtare, e më gjerë. Drejtori i Bibliotekës Aurel Plasari i dhuroi ambasadorit amerikan John Withers, një nga karrikaturat e gazetës së shqiptarëve të Amerikës, "Diellit".
Poeti Sadik Bejko nderohet me çmimin Skeptri i letërsisë 2010
Shoqata e shkrimtarëve të Maqedonisë me rastin e festës së blirit, nderoi me çmimin vjetor Skeptri i letërsisë 2010 poetin shqiptar Sadik Bejko dhe atë maqedonas Risto Lazarov. Në sallën e rezidencës së shoqatës së shkrimtarëve në Shkup, më datë 9 korrik u zhvillua një ceremoni e veçantë ku morën pjesë shkrimtarë, artistë, përfaqësues nga bota akademike, kulturore, universitarë, etj. Merrte pjesë gjithashtu ambasadori shqiptar në Maqedoni Arben Çeku, kryebashkiaku i Shkupit Koce Trojanov, kryetari i shoqatës së shkrimtarëve Rade Silijan, shkrimtarët e njohur Ali Aliu, Resul Shabani dhe Nihas Sopaj. Ceremoninë e çeli Hristo Petrevski, shkrimtar, kryetar i festës së blirit. Në këtë veprimtari u paraqitën librat me poezi në tri gjuhë: maqedonisht, shqip dhe anglisht. Secili autor përfaqësohej me 30 krijime poetike. Përkthimi maqedonisht për poetin Sadik Bejko u bë nga poeti Resul Shabani. Kryetari i bashkisë së Shkupit nderoi poetin shqiptar me medaljen "Sadik Bejko, poet-nderi i Shkupit", kryetari i shkrimtarëve u dorëzoi poetëve Bejko dhe Lazarov Skeptri i letërsisë 2010, që ishte një shkop druri me zbukurime. Pjesëmarrësit në takim dhanë konsiderata dhe vlerësime për dy poetët fitues të çmimit vjetor. Poetët Bejko dhe Lazarov recituan secili nga një poezi prej librit të promovuar.
Filarmonia e Kosovës, koncerte në Japoni
Me nismën e dirigjentit japonez Toshio Janagisava, Filarmonia e Kosovës zhvilloi disa koncerte në Japoni. Profesor Rafet Rudi pohon se në këtë turne Filarmonia u prezantua me dy vepra të porositura enkas nga kompozitorët kosovarë, Valton Beqiri dhe Baki Jashari dhe me një vepër të huaj. Mendoj se është një dimension shumë interesant në këtë turne. Njëra vepër e Baki Jasharit është sfondi, mbështetja në tematikën e luftës dhe paqes. Ju mund ta merrni me mend se ai ambient Kosovën e sheh gjithmonë nën prizmin e asaj që ka ndodhur para dhjetë viteve dhe vepra tjetër ishte gjithashtu interesante si tematikë, që ishte porositur nga dirigjenti dhe organizatori japonez e bazuar në elementet e këngës sonë popullore, pohon profesor Rudi. Filarmonia e Kosovës, shkoi në Japoni me projektin e titulluar Lutje për Paqe.