Kriza, PS-PD shtyjnë një ditë Kodin
ADI SHKEMBI
Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare shtyn për ditën e sotme seancën, ku pritet të votohet Kodi i ri Zgjedhor. Vendimi u mor në mbledhjen e djeshme, me gjithë kundërshtimin e përfaqësuesit të LSI-së, Dritan Prifti dhe atij të PDK-së, Jak Ndoka. Burime nga kjo mbledhje bënë të ditur për gazetën, se ka qenë deputeti i PS-së, në konferencën e kryetarëve, Ylli Bufi, i cili ka propozuar fillimisht, që seanca ku do të votohet kodi i ri zgjedhor të mos zhvillohej dje pasdite, ashtu siç ishte parashikuar, por gjatë ditës së sotme. Propozimin e Bufit e ka përkrahur edhe kryetari i grupit parlamentar të republikanëve, Arjan Madhi dhe më pas të gjithë drejtuesit e grupeve të tjera me përjashtim të PDK-së e LSI-së. Deputeti Prifti mësohet t'i ketë kërkuar kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, që drafti i Kodit të ri Zgjedhor të kalojë fillimisht nga Komisioni i Ligjeve dhe më pas të miratohet në Kuvend. Por ky propozim i LSI-së është rrëzuar nga nënkryetari i kuvendit, përfaqësuesi socialist në Konferencën e Kryetarëve. Sipas Ylli Bufit, dokumenti i miratuar në mbledhjen e 14 nëntorit është produkt i një komisioni të posaçëm dhe duhen vetëm dy ditë që ai të kalojë në seancë. Për këtë ai propozoi që seanca të zhvillohet gjatë ditës së sotme, duke qenë se kodi u miratua të premten dhe dy ditët e tjera, e shtunë dhe e diel konsiderohen pushim. Ky variant u miratua me shumicën e votave në konferencë, ndërkohë që nuk u caktua ora se kur do të mbahet seanca parlamentare. Kjo seancë pritet të jetë një nga më interesantet e kësaj legjislature, pasi në Kuvend do të jenë edhe 10 deputetët, të cilët prej tetë ditësh kanë hyrë në grevë urie për të kundërshtuar pikërisht miratimin e kodit, që lë jashtë administrimit të zgjedhjeve këto dy parti. Ndërkohë, në përfundim të Konferencës së Kryetarëve ka reaguar dje përfaqësuesi i PDK-së, Jak Ndoka, sipas të cilit me këtë vendim është shkelur ligji, që rregullon punën e parlamentit. Deputeti demokristian tha, se gjatë mbledhjes së konferencës u kërkua që të ngrihej një grup pune për të negociuar me dhjetë deputetët grevistë, kërkesë e cila u rrëzua. Sipas tij, me vendimin e ditës së djeshme Konferenca e Kryetarëve ka shkelur rregulloren e kuvendit, sipas së cilës një projektligj për të kaluar në Kuvend duhet të mbushen të paktën dy javë nga paraqitja e tij. "Konferenca vendosi që nesër të kalojë Kodi Zgjedhor. Këmbëngulja jonë si e Dritan Priftit dhe imja për deputetët grevistë, që të paktën të ishte një grup pune për të negociuar dhe ne duke u bazuar në rregulloren e parlamentit i kërkuam, që të paktën të ketë një afat kohor, të zbatohet rregullorja e Kuvendit, që do të thotë se në datë 14 është bërë dorëzimi i draftit", u shpreh deputeti demokristian Jak Ndoka. Ndërkohë, megjithëse seanca është vendosur për t'u zhvilluar sot, ende nuk është përcaktuar ora se kur do të mblidhet.