E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers, tre vjet marrëdhënie të ndera me Berishën

Përplasja Mazhoranca ka demonstruar publikisht mungesën e pëlqyeshmërisë për diplomatin

Largimi i John Withers nga detyra e ambasadorit amerikan në Tiranë, lë pas një klimë marrëdhëniesh jo shumë të ngrohta me qeverinë e tanishme të drejtuar nga Sali Berisha. Të perceptuara në mjedisin politik dhe mediatik shqiptar si probleme të krijuara nga veprimet personale të Berishës dhe natyra përsëritëse e tij ndaj pranisë amerikane në Shqipëri, marrëdhëniet mes ambasadës së SHBA dhe ekzekutivit të tanishëm vetiu përkufizohen si probleme mes dy vendeve. Këshillat apo qëndrimet e dhëna nga përfaqësuesi diplomatik në Tiranë Withers, janë përftuar shpesh në opinion si kritika personale në adresë të Berishës. Qëndrimi i ri i Arvisut dje në Senatin amerikan i ka dhënë fund kësaj ideje, për sa kohë që problemet e nënvizuara dhe vlerësimet e bëra janë identike. Ky opinion i krijuar rreth rolit të ambasadës së SHBA kërkon për rrjedhojë një përmbledhje të ngjarjeve që kanë ndikuar në krijimin e tij. Duke nisur me disa kritika të hapura për çështjen e Gërdecit, për të vijuar mandej me një qëndrim konstant në mbështetje të organeve të pavarura kushtetuese si Prokuroria e Përgjithshme, marrëdhëniet mes dy palëve janë ngurtësuar si pasojë edhe e mënyrës populiste të veprimit të Kryeministrit shqiptar për çdo çështje. Zgjedhjet dhe menaxhimi i kërkesave socialiste që sollën një boshllëk në jetën politike i kanë dhënë një profil më të dukshëm diferencës mes dy protagonistëve, që kaluan thuajse në një kundërshtim të hapur me nismën për ligjin e ri të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe atë për emrat e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Ballafaqimi i Berishës me ata që ai i cilëson si partnerë strategjikë është nyjëtuar në çështjen e institucioneve të pavarura, që si të tilla denoncojnë aksionet politike të tij. Prononcimi i djeshëm i Arvisu-t dëshmon për shqetësimin në rritje të SHBA lidhur me këto probleme të cilat janë me sa duket pjesë e axhendës diplomatike në Tiranë dhe përbërëse e formulimit politik mbi Shqipërinë. Thënë ndryshe, ballafaqimi i deritanishëm nuk ka asgjë personale, por përfaqëson një klimë të ngarkuar nga aksione që edhe pse me metoda të ndryshme nga 1996 janë zgjatim i të njëjtave qëllime. Edhe pse interes i mirëfilltë amerikan, ndryshimi i kërkuar i situatës, qoftë edhe për sa i përket pavarësisë së institucioneve kontekstualizohet natyrshëm si mbështetje për opozitën që do të duhet të artikulojë më mirë atë se çfarë kërkon. Në finale misioni diplomatik i Arvisu-t nis në një realitet politik thuajse të njëjtë me atë një vit më parë, por që sikurse edhe u paralajmërua e bën për këdo të domosdoshëm nisjen e një dialogu konstruktiv.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›