E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wolfsburg në gjendje të mjerë

Nga Express më 22 mars 2011 në ora 09:51

Trajneri i ri i Wolsfsburgut, Felix Magath, ka kritikuar nivelin e formës fizike të skuadrës, duke thënë se standardi duhet të përmirësohet dukshëm. Magath kishte udhëhequr ekipin drejt titullit në Bundesligë më 2009, por kaloi te Schalke.

Pas shkarkimit për një sezon dëshpërues, ai javën e kaluar u rikthye në Wolfsburg, që më herët gjatë këtij edicioni kishte larguar trajneri Steve McClaren. “Kam lënë prapa futbollistë tjerë prej atyre që kam gjetur tani”, tha Magath për televizionin Liga Total pas drejtimit të ndeshjes së parë të tij në barazimin 1-1 në Stuttgart.

“Tani kemi 10 ditë të vështira para nesh. Kam parë një ekip që është në gjendje të mjerë. Pse dhe si është e mundur që ata të jenë në një gjendje të këtillë, do të mund të tregoj së shpejti. Ne duhet të ndryshojmë këtë. Duhet të bëjmë diçka menjëherë sa i përket gjendjes sonë në mënyrë që të mund të luftojmë kundër rënies nga liga. Por, për ta pasur ekipin ashtu siç dua unë që të jenë ata, do të më nevojiteshin katër muaj”, shtoi ai.

Shtatë ndeshje para përfundimit të sezonit në Bundesligë, Wolfsburg gjendet në pozitën e parafundit në tabelë nën rrezik serioz për rënie nga elita e futbollit gjerman. “Futbollistët janë në gjendje të mirë teknikisht dhe ata besojnë se janë më të mirë se të tjerët, por nuk e kanë kuptuar se janë në zonën e rrezikuar. Vetë futbollistët janë ata që mund të ndryshojnë situatën”, përfundoi Magath.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›