E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hasani lobon në Lozanë

Nga Express më 22 mars 2011 në ora 12:09

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, ka udhëtuar të dielën për në Lozanë, ku po mbahet Kongresi i ANADO (Asociacioni i Organizatave Kombëtare për Anti-doping), pjesë e të cilit, me të drejta të plota nga ky vit është edhe KOK-u.

Me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Sport pritet të fuqizohet Agjencia për anti-doping e Kosovës, e cila ka për qëllim edukimin dhe sensibilizimin e sportistëve për pasojat nga përdorimi i dopingut dhe metodave të ndaluara në sport.

Kjo agjenci ka për detyrë që t’i kontrollojë sportistët e Kosovës, me qëllim që t’i bashkohet kampanjës së KON, WADA dhe ANADO për tolerancë zero ndaj dopingut në sport. Ndërkohë, Hasani do ta shfrytëzojë këtë udhëtim edhe për takime të tjera të rëndësishme në funksion të ndërkombëtarizimit të sportit.

Njëri prej tyre, më i rëndësishmi, do të jetë takimi me udhëheqësit e Federatës Ndërkombëtare të Kalërimit, federatë e cila është treguar e gatshme ta pranojë Federatën e Sporteve me Kuaj të Kosovës, që është formuar disa muaj më parë. Bashkë me Hasanin në takim do të marrë pjesë edhe Fehmi Fetahu, kryetar i Federatës së Kalërimit dhe Agim Morina, përfaqësues i KOK në Lozanë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›