E Diel, 1 Nëntor 2026

Milan ka frikë

Mesfushori i Milanit, Gennaro Gattuso brengoset për formën e dobët të ekipit në javët e fundit. Ai pranon se Rossonerët rrezikojnë të humbin pozitën e parë në Serie A, ku aktualisht kanë dy pikë më tepër se Inter para derbit të qytetit më 2 prill. 34 vjeçari fton bashkëlojtarët të japin më tepër, meqë, sipas tij, ajo që janë duke bërë tani nuk mjafton për të fituar Scudetton e tyre të parë nga 2004. Nga Express më 22 mars 2011 në ora 09:58

Mesfushori i Milanit, Gennaro Gattuso ka pranuar brengat e tij se Rossonerët mund të lëshojnë mundësinë për të fituar titullin e tyre të parë në Serie A prej vitit 2004. Epërsia e Milanit u ngushtua në dy pikë në fundjavë, pas humbjes së tyre 1-0 në Palermo, ndërsa Inter dhe Napoli fituan.

Tri skuadrat e para tani ndahen nga vetëm tri pikë para derbit të Milanos më 2 prill, që nëse fitohet nga Inter, do ta dërgojë kampionin në fuqi në krye për herë të parë këtë sezon. Nerazzurrët kanë ngushtuar disavantazhin ndaj Milanit nga 13 pikë (me një ndeshje më pak të zhvilluar) në mes të dhjetorit dhe Gattuso ka pranuar se lideri ka filluar të ndiejë presionin. Ata kanë marrë vetëm një pikë nga dy ndeshjet e tyre të fundit kundër Barit në Serie A dhe skuadrës së Palermos, që kishte pësuar pesë humbje të njëpasnjëshme para përballjes me Milanin.

“Gjithmonë ka frikë sepse duke marrë vetëm një pikë nga dy ndeshjet tona të fundit, na bën të kuptojmë se ka brenga”, tha Gattuso për Sky Sport 24. “Kemi pranuar dy gola naive në dy ndeshjet e fundit, kurse krijuan shumë raste, por shënuam vetëm një gol. Ne duhet të jemi më të pafalshëm, më efikas si dhe na nevojitet më tepër fat. E dimë se tani duhet të bëjmë diçka më tepër, ajo që jemi duke bërë nuk mjafton”, shtoi ai. Por, Gattuso insiston se Inter nuk do ta ketë lehtë të tejkalojë Milanin dhe thekson se Nerazzurrët nuk janë favoritë për derbi.

“Inter po ashtu vuajti të mposhtë Leccen në shtëpi (1-0), nuk ka ndeshje të lehta. Sa më tepër që shkoni përpara, aq më tepër ndeshje të vështira do të jenë. Ne kemi respekt të madh për Interin dhe duhet të përgatitemi mirë për derbi. Fitoret ju dhurojnë bindje dhe aktualisht Inter ka më tepër nga kjo se ne. Ata kanë fituar për katër ose pesë vite dhe kjo i jep fuqi. Në vitet kur ne fitonim shpesh, në momente të vështira gjithmonë arrinim të nxirrnim diçka sepse fitoret ju japin karakter dhe fuqi”, theksoi ai.

Edhe pse është në Milan nga 1999, 33 vjeçari ka pranuar se konsideron interesimin nga klubi rus Anzhi Makhachkala, për të cilin aktualisht luan ish mbrojtësi i majtë i Real Madridit dhe i Kombëtares braziliane, Roberto Carlos. “Ka pasur kontakt, por ende jemi mjaft larg”, tha Gattuso për interesimin e skuadrës nga Dagestani. “Kam një familje, nuk i marr vendimet i vetëm, por Milan është shtëpia ime, nuk mund të harroni 12 vite. Tani objektivi është të fitojmë këtë kampionat dhe kjo është ajo që çka jam duke menduar. Jetës kurrë nuk i dihet, por Milan është shtëpia ime”, përfundoi Gattuso.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›