E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagojnë gjyqtarët

Nga Express më 22 mars 2011 në ora 12:08

Pas sulmit fizik ndaj gjyqtarëve në ndeshjen e xhiros së 21-të të BKT Superligës së Kosovës në basketboll, ndërmjet Kosovës dhe Pejës, të hënën ka reaguar Shoqata e Gjyqtarëve të Federatës së Basketbollit të Kosovës (SHGJFBK).

Sipas kësaj shoqate, ajo çka po ndodh në palestrat tona rreth gjyqtarëve, fyerje, kërcënime, tentim sulmi dhe së fundi dhe sulm fizik, është kulmi i mosrespektit që ndodh në Kosovë dhe askund tjetër.

“Ato që ne i përjetojmë në disa palestra tona janë të paimagjinuara, që mund të ndodhin diku ku funksionon klubi dhe sporti në përgjithësi. Nuk pritemi para ndeshjeve si çdo kund që ndodh, kërcënohemi para ndeshjeve se duhet të gjykojmë sipas dëshirës së tyre e jo rregullave. Pushimet në mes periudhave janë shqetësuese e jo koncentrim për gjykim të drejtë. Me të përfunduar ndeshja, vaj halli për ne, si të shpëtojmë dhe të shkojmë në shtëpi pa pasoja të rënda”, ankohet SHGJFBK.

Kjo e fundit e ka dënuar sulmin ndaj gjyqtarit Daut Mehmeti. Gjyqtarët thonë se janë në shërbim të avancimit të basketbollit, por jo në mënyrën e këtillë të presioneve dhe sulmeve, sepse pamundësohet koncentrimi dhe korrektësia.
Ata kërkojnë që rasti i ndodhur në Vushtrri ta marrë dënimin meritor nga organet kompetente.

Ata po ashtu kërkojnë kushte për drejtimin e ndeshjeve, ndërsa kërcënojnë se nëse ndodhin sërish raste të tilla, janë të vendosur të mos vazhdojnë të referojnë më në basketbollin kosovar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›