E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ende besojmë

Qendërmbrojtësi i Chelseas, David Luiz thotë se ekipi është i përqendruar ta zërë Manchester Unitedin në krye të tabelës në Premierligë, por edhe ta eliminojë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Braziliani 23 vjeç është përshtatur për mrekulli në skuadër, pas ardhjes në janar, dhe u falënderohet të gjithëve për ndihmë. Nga Express më 22 mars 2011 në ora 09:55

Qendërmbrojtësi i Chelseas, David Luiz ka insistuar se klubi është i vendosur të rrëmbejë titullin në Premierligë, para Manchester Unitedit. Blues përfunduan në krye mbi Red Devils sezonin e kaluar, mirëpo një seri e rezultateve negative në mes të këtij edicioni i mundësoi skuadrës së Sir Alex Fergusonit të kalojë në pozitën e parë, ndërsa Arsenali zë të dytën.

Chelsea, që së fundmi mposhti Manchester Unitedin 2-1 në Stamford Bridge, është përmirësuar dukshëm në periudhën e fundit dhe ruajti formën e mirë të dielën, duke fituar 2-0 ndaj Manchester Cityt. Luiz shënoi golin e parë në ndeshje, duke realizuar me kokë pas një goditjeje të lirë nga Didier Drogba. Qendërmbrojtësi brazilian ka fituar shpejt zemrat e tifozëve të Chelseas, pas transferimit nga Benfica gjatë afatit kalimtar të janarit për rreth 21 milionë funte.

Ardhja e Luizit u përputh me ringjalljen e Chelseas në Premierligë, pasi kampioni aktual në një fazë ishte 15 pikë prapa Manchester Unitedit. Në fakt, 23 vjeçari brazilian deri më tani ka shënuar dy gola të rëndësishme, pasi, përveç Cityt, kishte realizuar edhe përballë Manchester Unitedit. Chelsea hyri në pushimin ndërkombëtar nëntë pikë prapa kryesuesit Manchester United, por me një ndeshje më pak të zhvilluar, derisa shorti është tërhequr përballë tyre në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

“Ne duam të bëjmë gjithçka këtë sezon. Duam të arrijmë Manchester Unitedin në Premierligë dhe ta mposhtim në Ligën e Kampionëve. Ne duhet të besojnë, mund të fitojmë titullin. Ka ende shumë ndeshje dhe shumë pikë për të luajtur. Unë nuk kam të drejtë loje në Ligën e Kampionëve, por jam shumë i afërt me ekipin. Gëzimi i bashkëlojtarëve të mi do të jetë edhe gëzim i imi, nëse ata paraqiten mirë”, tha Luiz për Sky Sports News. Ai shprehu modestinë e tij rreth fillimit pozitiv të aventurës me gjigantin londinez.

“Jam vërtet i lumtur që tifozët më kanë mirëpritur, por gjëja më e rëndësishme është se ekipi është në gjendje të mirë. Gjithmonë punoj shumë dhe më pëlqen t’i ndihmoj ekipit. Sigurisht se kur skuadra paraqitet mirë, atëherë është gjithçka më e lehtë, por nuk e kam pasur vështirë të adaptohem sepse më kanë ndihmuar bashkëlojtarët dhe menaxheri”, shtoi ai. Përforcimet e reja në Chelsea duhet të kalojnë një rutinë, që i përfshin ata të këndojnë një këngë para bashkëlojtarëve të tyre.

Luiz refuzoi të tregojë se çka këndoi ai, duke thënë: “Është sekret i yni. Por, kam kënduar një këngë dhe ishte në rregull”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›