Wollfarth- Burgaj, diskutime për sigurinë e kufirit

Siguria e kufirit gjatë sezonit turistik në vendin tonë, ka qenë kryefjala e takimit mes ambasadorit të OSBE-së, Eugen Wollfarth dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
Në një prononcim për mediat pas takimit, ambasadori i OSBE-së, ka vlerësuar bashkëpunimin me policinë shqiptare, për sigurinë e kufirit. "Kemi diskutuar për të shqyrtuar bashkëpunimin mes policisë shqiptare me policinë e kufirit dhe migracionit, në lidhje me sigurinë në vend dhe shtetit të së drejtës. Kemi dhuruar 20 kompjutera për të ndihmuar për menaxhimin dhe zhvillimin e sigurt të turizmit. Diskutimi ishte për vazhdimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen", u shpreh ai.
Ndërkohë që ambasadori nuk ka dhënë asnjë koment për procesin zgjedhor në Shqipëri. Ndërkohë që nga ana e tij, drejtori Burgaj ka deklaruar se nga 1 qershori i këtij viti deri në datën 11 korrik, në vendin tonë kanë hyrë 340 mijë shtetas të huaj. "E falenderova ambasadorin për mbështetjen, që i ka dhënë policisë për trajnimet, qoftë para procesit zgjedhor, por edhe në vazhdimësi, trajnime siç janë realizuar në Vjenë kundër terrorit", theksoi Burgaj.
Ndërkohë i pyetur nga "Ora News", në lidhje me vrasjet e ndodhura kohët e fundit, Burgaj theksoi se krahasuar me vitin e kaluar, në vendin tonë ka pasur 4 vrasje më pak. Sipas tij, vrasjet kanë si problematikë konflikte të çastit, të cilat nuk kanë lidhje me prishjen e qetësisë publike.