Romët, Wollfarth: Të merren masa për arsimimin e tyre
Tiranë- Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, ka deklaruar se e vetmja mënyrë për të integruar komunitetin rom në shoqëri është arsimimi i tyre.
Duke folur në vigjilje të 8 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve, ai tha se numri i fëmijëve romëve që braktisin shkollën është tepër i madh dhe ky fenomen është shqetësues pasi ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave arsimore të tyre.
Përmes shkollimit të mirë fëmijët Romë do të kenë mundësi më të mëdha për të hyrë në botën e të rriturve me shanse të barabarta në shoqëri. Arsimi do të shërbejë për ti hapur rrugën qasjes më të mirë në punësim, si dhe angazhimit të plotë në jetën qytetare dhe atë politike, ndjekja e shkollës nga ana e fëmijëve Romë së bashku me nxënësit e tjerë shqiptarë duhet të jetë në krye të një qëndrimi të integruar për të ndihmuar zhvillimin e komunitetit Rom,- deklaroi Wollfarth.
Më tej ai është shprehur se qeveria duhet ti plotësojë kushtet e jetesës këtij komuniteti, dhe duhet ti pajisë fëmijët Romë me libra falas.
Nevojitet zbatimi i plotë i Strategjisë Kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit Rom, si dhe i angazhimeve të Shqipërisë në kuadrin e Dekadës së Romëve, ndërkohë që duhen zhvilluar më tej mekanizmat ekzistues, duke përfshirë këtu nismat qeveritare për pajisjen e fëmijëve Romë me libra falas.Njëkohësisht, prindërit Romë duhet të jenë plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë dhe vlerën e shkollimit. U takon prindërve që të zgjedhin në favor të shkollimit si e vetmja rrugë për të siguruar mundësi më të mira jetësore në të ardhmen për fëmijët e tyre,- tha ai.
Ky komunitet ka disa vite që është lënë pas dore nga instancat shtetërore, pasi vetëm para pak kohësh shumë prej tyre u drejtuan për ndihmë tek Avokati i Popullit, kjo sepse ngelën pastrehë pasi Bashkia urdhëroi largimin e tyre nga vendi ku qëndronin.
Kliti Topalli/ IDEA
Shkrime të tjera me interes:
- KE: Në Shqipëri romët të privuar nga e drejta e votës, masa urgjente Bruksel- Komuniteti rom është më i prapambeturi dhe më i...
- 8 Marsi, AK: Të merren masa për gratë e ngujuara Tiranë- Përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi me rastin e ...
- Ambasadorë, ku kanë shkuar milionat për romët? Tiranë Pasi janë dëbuar sa nga një vend në tjetrin,...