Gjana: “Për reformën parlamentare, PD s’mbështet ndryshime të reja kushtetuese”
Në kushtet kur PD dhe PS kanë përfunduar me sukses reformën zgjedhore dhe është gati drafti i përbashkët për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë është gati për t’u votuar, pika e vetme për të cilën nuk ka asnjë progres është ajo e reformës parlamentare. Ndonëse reforma parlamentare është një ndër rekomandimet e BE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat ajo mbetet e bllokuar për shkak të kërkesës së pazakontë të opozitës për t’i dhënë kohë pa limit kryetarit të opozitës në parlament duke e barazuar me kohën e kryeministrit.
Partia Demokratike pohon se janë këto dy kërkesa që po e mbajnë të bllokuara reformën parlamentare. Bashkëkryetari demokrat i reformës parlamentare Jemin Gjana në një prononcim për mediat deklaroi se hartuesit e Kushtetutës e kanë menduar mirë kur i kanë lënë kryeministrit më shumë kohë në Parlament. “Opozita kërkon që në rregullore të shkruhet që edhe kryetari i opozitës e merr fjalën kur të dojë e sa herë të dojë. Tani ata që kanë hartuar Kushtetutën e kanë ditur që ne jemi në sistem demokratik kemi një kryeministër dhe një kryetar grupi, e kanë harruar? Jo. Kanë dashur në mënyrë të drejtpërdrejtë e të qartë që kryeministri që përfaqëson pushtetin ekzekutiv ti japi të drejta më shumë se kujtdo tjetër”, deklaroi Gjana.
Gjithashtu deputeti Gjana argumenton edhe kundërshtimin e demokratëve për votimin e fshehtë të dekreteve të presidentit në Kuvend. “Nuk votohet për emrin por për dekretin, edhe në rastin e gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Siç votojmë dekretin e presidentit kur emërohet kryeministër kur emërohen ministra, nuk votojmë emrin e ministrit por votojmë dekretin e presidentit, ky është koncepti bazë e parimor. Kemi insistuar tek kjo edhe për ta bërë qendrimin e parlamentarëve sa më transparent e sa më të qartë edhe për efekt të një leximi të qartë herë pas here të pazarave që bëhen deri në Parlament kur vjen puna për të votuar në mënyrë të fshehtë", shprehet Gjana. Bashkë me imunitetet, reforma parlamentare është nga kushtet e theksuara fort nga Brukseli për statusin e kandidatit në vjeshtë.