Kodi Zgjedhor, në pritje të dekretit të Presidentit Nishani
Kreu i shtetit pritet të dekretojë këtë javë reformën e re zgjedhore e konkretizuar me konsensusin e PD dhe PS
Kodi Zgjedhor do jetë i pari ligj që do të dekretojë Bujar Nishani në cilësinë e presidentit. Ekspertët që hartuan ligjin e zgjedhjeve, i kanë bërë fundjavën e kaluar redaktimin e fundit.
Pas firmosjes fletë më fletë nga Oerd Bylykbashi dhe Bledi Çuçi të njërit prej ligjeve me të debatuara në Shqipëri, Kuvendi pritet t’ia dorëzojë atë të hënën kreu të shtetit.
Në fillim të javës që vjen, firma e parë e presidentit të ri, sipas të gjitha gjasave do të jetë pikërisht mbi Kodin Elektoral, i cili u miratua në 19 korrik, pak ditë para se ai të merrte zyrtarisht detyrën. Pas dekretimit të kodit, detyra e radhës e Nishanit në lidhje me zgjedhjet do të jetë pikërisht caktimi i datës së tyre.
Vendimmarrje, e cila pritet të bëhet në shtator. Kodi zgjedhor u miratua pak javë më parë me 127 vota “pro”, 2 kundër dhe 3 abstenim pas 6 muajsh punë në komisionin e posaçëm të reformës.
KQZ dhe ankimimet ishin ndër pikat më të nxehta të tij, për të cilat konsensusi u arrit në momentin e fundit.
Sipas ndryshimeve në kod, KQZ do të ngrihet nga e para, ndërsa asnjë nga anëtarët aktualë të kolegjit zgjedhor nuk do të riciklohet.