E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kulli: Smjafton vetëm dëshira për fanellën e Besëlidhjes

Lezhjanët mbyllin javën e parë stërvitore dhe trajneri vlerëson punën e të rinjve që po testohen, duke theksuar se përzgjedhja do të bëhet me profesionalizëm, larg ndërhyrjeve

 

Nga Lekë Miraj

Besëlidhja e ka mbyllur javën e parë stërvitore në kuadrin e përgatitjeve për sezonin 2011-2012. Ka qenë një javë seleksionuese për futbollistët e afruar me dëshirën e tyre për tu testuar.

Kryesisht të afruarit janë djem të rinj, ish-pjesëtarë të ekipit U-19, por edhe të tjerë që kanë qenë pjesë e Besëlidhjes sezonin e kaluar, por që pak e kanë veshur fanellën e saj.

Stafi teknik, nën drejtimin e trajnerit Ridvan Kulli, i ka ndjekur me kujdes veprimet e futbollistëve të rinj për të piketuar më të mirët, që duhen për sezonin e ri.

Por, përveç stafit teknik, i pranishëm në aneksin e stadiumit ka qenë çdo ditë edhe presidenti Gjokë Noka, pasi, si drejtuesi kryesor i ekipit, ai ka deshirë të shohë dhe të gjykojë për çdo futbollist të ardhshëm të Besëlidhjes.

Ai synon të formojë një ekip me djem të rinj, nën moshën 24 vjeç, por që e duan futbollin si profesionin e vetëm për të bërë karrierë. Largimi i të gjithë titullarëve të sezonit të kaluar dhe afrimi i djemve të rinj lezhjanë, shkodranë, tiranas etj., flet qartë për objektivin që ka presidenti Noka.

Analiza e Kullit – I pyetur për punën e bërë këtë javë, trajneri Ridvan Kulli thotë: “Jemi duke vëzhguar me shumë kujdes e profesionalizëm futbollistët e afruar me dëshirën e tyre  për tu testuar te Besëlidhja.

Të them të drejtën, janë djem me shumë dëshirë dhe të përkushtuar për të ngjitur shkallët e cilësisë në futboll, por kanë edhe mangësi të karakterit fizik e teknik. Fanella e Besëlidhjes peshon dhe nuk mjafton dëshira për ta merituar, pasi kërkon edhe aftësi profesionale.

Siç e kemi thënë, me ekipin po stërviten edhe 2-3 titullarë të kampionatit të kaluar, ndërkohë që do të afrojmë edhe të rinj të tjerë nga Shkodra dhe Tirana, gjithmonë me synimin për ti provuar. Vërtet ka dëshirë të madhe për tu bërë pjesë e Besëlidhjes, por ne do të afrojmë vetëm ata që e meritojnë, larg  ndikimeve dhe ndërhyrjeve që na vijnë nga drejtime të ndryshme.

E rëndësishme është që stafi teknik dhe ai administrativ, nën drejtimin e presidentit Noka , ka mendime të unifikuara për të formuar një grup me lojtarë të rinjë, me ego profesionale dhe të përkushtuar për futbollin. Besëlidhjes i duhen ushtarë që stërviten dhe luajnë futboll e jo gjeneralë me kokën lart, të cilët stërviten pak e flasin shumë.

Tifozët Çdo ditë, stërvitjen e ekipit po e ndjekin edhe shumë futbolldashës lezhjanë, të cilët janë të interesuar për formatimin e Besëlidhjes së sezonit të ri. Shumë prej tyre shprehen optimistë për punën e filluar dhe e mbështesin platformën e drejtuesve për një Besëlidhje të përbërë me djem të ri, që stërviten dhe luajnë me dëshirë e ndershmëri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›