E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superkupa ne Korce

Shumë miqësi, mjaft kortezi, por edhe ndonjë kunj mes dy palëve të interesuara në hedhjen e shortit të qytetit se ku do të luhet ndeshja e Superkupës së Shqipërisë, e përcaktuar për më 18 gusht. Protagonistët diheshin që më parë, Skënderbeu kampion dhe Tirana fituese e Kupës. Kjo kortezi bëri që shorti të tërhiqej nga presidenti i Tiranës, Halili, dhe të nxirrte Korçën si qytetin ku do të luhet ndeshja. Pra, Skënderbeu do të jetë në fushë të tij.

Korçarët ishin të pranishëm në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) me presidentin e tyre, Agim Zeqon, ndërsa bardheblutë erdhën të armatosur “deri në dhëmbë”, pasi bashkë me Halilin, aty ishte edhe ai që ende është sekretari i klubit, Rauf Dimraj.
Respekti reciprok u tregua në faktin se kush do të nxirrte goglat nga vazoja e qelqtë dhe pasi nuk u gjet një gazetar dhe pasi shefi i sektorit të garave në FSHF, Shulku, nuk kishte ndërmend të ishte ai protagonisti, këmbëngulja e Zeqos doli më e madhe se ajo e Halilit.

Një “të lumtë dora” doli nga goja e biznesmenit korçar, pasi letra që doli kishte brenda emrin Skënderbeu. Presidenti i kampionëve nuk ngurroi ta falenderonte kolegun.

Pasi u përcaktua qyteti ku do të luhet ndeshja, ndërsa data dihej që më parë dhe do të jetë ditë e enjte, menjëherë palët u morën vesh edhe për orarin. Duke parë që mungonte iniciativa, nismën e mori Shulku që dha orën 20:00 dhe kjo u pranua nga të dy presidentët.
Gjithçka, pra, është e përcaktuar me përjashtim të gjyqtarit që mund të caktohet me short përpara ndeshjes dhe po ashtu mbetet të shihet se kush do të jetë fituesi i ndeshjes së parë zyrtare të sezonit të ri në Shqipëri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›