Xavi: nuk jemi të pamposhtshëm

Mesfushori i Barcelonës, Xavi, thotë se Blaugranët nuk janë të pamposhtshëm,në prag të Kupës Botërore të Klubeve që zhvillohet muajin e ardhshëm në Japoni.
Ka pasur shumë diskutime rreth një finaleje të mundshme në mes të fituesit të Ligës së Kampionëve dhe gjigantit brazilian Santos, por Xavi thotë se para se të mendojnë për finalen, ata duhet të fitojnë në gjysmëfinale.
“Ne nuk mund të mendojmë për finalen ende. Ne nuk jemi të pamposhtshëm. Kjo nuk ekziston në botë. Çdo ekip na shkakton neve probleme. Ne jemi të kënaqur që do të shkojmë në Kupën Botërore të Klubeve, por ne kemi nevojë të dimë se cilat ekipe do të garojnë në finale para se ta diskutojmë këtë”.
“Barcelona – Santos, do të ishte interesante. Ne dimë për Neymar, Ganso dhe shumë lojtarë të talentuar. Por për momentin ndeshja është vetëm hipotetike”, ka thënë Xavi për faqen zyrtare të FIFA-s.
Barcelona do të takohet ose me Esperance ose me Al Sadd në gjysmëfinalen e Kupës Botërore të Klubeve më 15 dhjetor.