Kuçi: Nuk kemi çfarë të humbasim në Burrel
Mesfushori verdheblu, Ergert Kuçi, thekson se ka ardhur momenti që ekipi ta kapërcejë ngërçin psikologjik
Elbasani u mund thellë në Ballsh të mërkurën në kupë, por ky kompeticion nuk është i rëndësishëm për të. Parësor për verdheblutë është kampionati dhe vëmendja është e gjitha te ndeshja e nesërme me Burrelin, ndaj dhe me Bylisin u aktivizuan futbollistë kryesisht të stolit. Dhe kur ekipi luante në Ballsh, zëvendëstrajneri Muharrem Dosti punonte me titullarët në Elbasan, në kuadër të ndeshjes me Burrelin.
Kuçi optimist Mesfushori Engert Kuçi thekson për “Sportin shqiptar” se Elbasani mendon vetëm për kampionatin, që, sipas tij, sa vjen e bëhet më i fortë. Ai pohon se ekipin verdheblu e pret një ndeshje mjaft e vështirë në Burrel, ku ekipi vendës është një kockë e fortë edhe për pretendentët. “Kemi lënë mënjanë kupën, sepse ekipi ynë nuk është në gjendje ti përballojë të dy kompeticionet e këtij sezoni.
Jemi të përqendruar te kampionati, që po rezulton shumë i fortë dhe Elbasani ka shumë për të bërë. Na del për detyrë të sakrifikojmë në çdo ndeshje të mbetur, nëse duam të mos lëshojmë më shumë terren në renditje.Të shtunën na pret një ndeshje e vështirë në fushën e Burrelit, që gjithmonë u hap probleme kundërshtarëve. Shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv në këtë ndeshje, sepse, kështu si kanë shkuar gjërat deri tani, nuk na lejohen hapa të tjerë falsë.
Elbasani duhet të jetë patjetër në grupin e pretendentëve për tu ngjitur një kategori më lart, aty ku e meriton të jetë gjithmonë, është shprehur mesfushori Kuçi. Ai ka shënuar dy sezone më parë një gol në Burrel, por Elbasani ka humbur 2-1. Ky fakt e bën futbollistin elbasanas të bëjë apel për ta respektuar maksimalisht ekipin matjan.
Ngërçi psikologjik Kuçi thotë në fund se ekipi do ti shkarkojë të gjitha bateritë në stadiumin Liri Ballabani, duke luajtur vetëm për fitore për tu çliruar psikologjikisht. Në Burrel është e vështirë të fitosh, por Elbasani nuk ka çfarë të humbasë, ndaj do të luajë vetëm për fitore, që do ti hapte rrugën për tu ngjitur drejt kreut.
Elbasani duhet të çlirohet nga ai ngërç psikologjik, që e ka kapur për ndeshjet në transfertë. Ka ardhur momenti që ekipi të marrë pikë edhe jashtë, pasi në të kundërt nuk do ta arrijmë objektivin e këtij sezoni, – ka përfunduar Engert Kuçi, i rikthyer në ekip pas një kohe relativisht të gjatë.
1 pikë
Kanë marrë verdheblutë jashtë fushës së tyre në 10 javë kampionat, konkretisht në fushën e Skraparit. Pikërisht për këtë fakt ata kanë mbetur prapa rivalëve me pikë
2 humbje
Kanë matjanët në fushën e tyre, me Adën dhe me Lushnjën, prandaj dhe aktualisht ndodhen në pozita të vështira në tabelën e klasifikimit.
