Strakosha: Nuk do ta tradhtoja kurrë Shqipërinë
Trajneri i përkohshëm i Panioniosit sqaron se nuk ndryshon asgjë në lidhje me punën si trajner i U-19-ës së Shqipërisë
Është emëruar nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, trajner i përfaqësueses U-19, ndërsa prej dy ditësh është komanduar trajner i parë i Panioniosit, pas largimit të Sakis Lemonis. Sigurisht që ky lajm është pritur me hapi nga opinioni sportiv në vendin tonë, por Foto Strakosha sqaron se nuk do të ndryshojë asgjë sa i përket kontratës që ka me FSHF-në si trajner i U-19-ës.
Trajner i përkohshëm Mediat greke, dy netë më pare, kanë dhënë lajmin se Foto Strakosha do të drejtojë Panioniosin derisa të gjendet zëvendësuesi i Sakis Lemonis. Ish-gardiani i portës kuqezi sqaron pse ka pranuar të marrë përkohësisht këtë detyrë: Para dy ditësh u largua trajneri i parë Lemonis, ndërsa presidenti i skuadrës më kërkoi që ta merrja unë drejtimin e përkohshëm, derisa të gjejë trajnerin e ri.
Kam biseduar hapur me presidentin dhe i kam thënë që kam një kontratë me FSHF-në, por ai më kërkoi që ta pranoja detyrën, sepse ishte e përkohshme. Unë kam luajtur dhe punuar te Panioniosi, ndaj nuk mund ta refuzoja kërkesën e tij. Besoj se ndeshjen me Arisin në fundjavë do ta drejtoj unë, ndërsa më pas them se do të jetë zgjedhur trajneri.
Në krye të Shqipërisë U-19
A ekziston mundësia që Strakosha të vazhdojë gjatë në krye të Panioniosit dhe për rrjedhojë të refizojë U-19-ën? Absolutisht jo. Unë jam dhe do të jem trajner i U-19-ës dhe nuk do ta tradhtoja kurrë Shqipërinë. Siç e shpjegova me lart, e kisha detyrim moral për karrierën që kam zhvilluar te Panioniosi ta merrja detyrën e përkohshme të trajnerit. Unë kam një plan dhe projekt të gjatë, të cilin dua ta zbatoj me përfaqësuesen U-19.
