E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hitaj: Besëlidhja, një finale e vërtetë për Gramozin

Nga Kristi Lilo

Ndeshja me Besëlidhjen është e vështirë, por Gramozi ka rastin të tregojë se e ka kaluar momentin e keq. Ky është pohimi i zv/trajnerit të kolonjarëve, Sokol Hitaj, i cili thotë: Gjatë stërvitjes që kemi kryer gjatë kësaj jave kam parë se futbollistët kanë besim për të nxjerrë një ndeshje të mirë.

Ata janë të ndërgjegjshëm për situatën ku ndodhemi aktualisht. Gjatë kësaj periudhe jemi përpjekur shumë për të marrë maksimumin nga të gjithë futbollistët, të cilët e kanë të qartë se çduhet të bëjnë me Besëlidhjen.

Edhe pse do të na mungojë lojtari i 12-të, tifozët, mendoj se mund ta fitojmë ndeshjen. Ndeshja e radhës është një nga ato që vërtet mund të konsiderohen si finale. Të gjithë e dimë sa e rëndësishme është sfida me lezhjanët dhe shpresoj që ekipi të tregojë vlerat më të mira.

Një fitore e mundshme me Besëlidhjen, përveç 3 pikëve, do të na karikonte shumë për vazhdimin e kampionatit. Situata në renditje nuk është e mirë për Gramozin, kështu që duhet të reagojmë patjetër. Ne si staf presim 3 pikët nga kjo ndeshje, ku e përsëris se janë të gjithë mundësitë për ta kaluar me sukses.

Për stafin kolonjar është mjaft pozitiv fakti se do të ketë në dispozicion kapitenin Shupe dhe mbrojtësin Peçi, të cilëve u është reduktuar dënimi dhe për ndeshjen e nesërme janë të gatshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›