Gjoka: Elbasanin e mundim kollaj në fushën tonë
Kapiteni i ekipit matjan, Dritan Gjoka, e konsideron të lehtë ndeshjen e nesërme me Elbasanin, edhe pse kundërshtari vjen nga superliga dhe ka traditë e vlera. Në gjykimin e tij, kapiteni i matjanëve niset nga fakti se ndeshja luhet në Burrel. Sipas tij, ka ardhur momenti i kthesës, pasi forca e Burrelit nuk është ajo që tregojnë rezultatet e deritanishme.
Mendoj se duhet të bëjmë më të mirën tani e tutje për ti kthyer Burrelit fitoret e munguara. Ne kemi treguar një nivel jashtëzakonisht të dobët në këtë kampionat dhe as vetë nuk e kuptojmë se si ka ardhur kjo çoroditje. Megjithatë, ende nuk është vonë për të bërë kthesën e shumëpritur nga të gjithë ne. Tashmë na ka mbetur vetëm një synim: qëndrimi në kategorinë e parë.
8 pikë në 10 ndeshje janë vërtet shumë pak dhe ne duhet të bëjmë më shumë që ta rrisim nivelin e Burrelit dhe imazhin e tij. Burreli asnjëherë nuk është gjendur më vështirë dhe jemi ne që duhet ta nxjerrim nga kjo situatë. Për këtë kemi punuar me përkushtim në seancat stërvitore dhe shpresoj që ta tregojmë forcën tonë ndaj Elbasanit. Kundërshtari nuk na tremb, mjafton të bëjmë lojnë tonë.
E konsideroj një ndeshje, ku Burreli duhet të marrë patjetër 3 pikët, – u shpreh kapiteni Gjoka. Ndërkaq, në ekipin matjan ende nuk ka një emër, që do të zërë vendin e ish-trajnerit Lulzim Kola. Deri tani është folur për emra, të cilët nuk do të jenë nga ky qytet. Ka pasur përpjekje për të sjellë në stol ish-trajnerin Baftjar Punavija, por ai nuk ka pranuar.
