E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xavi rekord te Barcelona

Xavi Hernandez është absolutisht një prej pikave të forta të Barcelonës. Madje, mesfushori katalan cilësohet si bateria që vë në lëvizje Lionel Messin dhe e ndihmon argjentinasin të shkëlqejë.

Por, paraqitjet e “pleshtit” nuk zbehin kurrësesi ato të “trurit” të skuadrës “blaugrana”. Xavi mbetet i pandalshëm kur bëhet fjalë për të thyer rekorde, duke vendosur një primat të ri te Barcelona.

Mesfushori spanjoll është bërë futbollisti që regjistron numrin më të madh të ndeshjeve ndërkombëtare në historinë e Barçës. Me aktivizimin në Champions League përballë Celtic, ai u ngjit në kuotën e 150 ndeshjeve ndërkombëtare me katalanët.

Në këtë mënyrë, Xavi është barazuar me ish-mbrojtësin brazilian, Roberto Carlos, ndërsa ka përpara Ryan Giggs me 151 ndeshje, Javier Zanetti (156), Clarence Seedorf (167), Raul Gonzalez (168) dhe Paolo Maldini, që kryeson klasifikimin special me 181 ndeshje ndërkombëtare.

Ndërkohë, në ndeshjen e fituar 2-1 me Celtic, Xavi ka regjistruar edhe një tjetër statistikë të shkëlqyer. Gjatë 90 minutave në “Camp Nou”, ai kreu në total 183 pasime të topit, 97 për qind e të cilave ishin të sakta.

Një shifër e pabesueshme, që merr përmasa edhe më të mëdha, kur zbulon se e gjtihë skuadra e Celtic përballë Barcelonës zhvilloi 193 pasime, pra 10 më tepër se Xavi i vetëm. Mesfushori 33-vjeçar kishte edhe 8 raste për shënim, ndërsa dha asistin e njërit prej golave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›